E Diel, 1 Nëntor 2026

Patozi: Topi nuk mund të jetë negociator për bojkotin

“Rama të lirojë rrugën e deputetëve të marrin detyrën”
Presidenti Bamir Topi nuk mund të bëhet negociator i një debati që po zhvillohet brenda vetë Partisë Socialiste. Ky ishte qëndrimi që mbajti dje kryetari i grupit parlamentar të demokratëve, Astrit Patozi, për sa i përket rekomandimit të Këshillit të Europës për përfshirjen e kreut të shtetit në rolin e negociatorit në debatin mes PD-së dhe PS-së. Në një intervistë për gazetën “Shqip”, Patozi theksoi se tashmë brenda PS-së ka një debat për sa i përket ndërprerjes së bojkotit. Por duke e quajtur si tepër të rëndësishme pjesëmarrjen e opozitës në Parlament dhe në reforma, Patozi thekson se mazhoranca është e hapur për t’i lënë PS-së drejtimin e një komisioni parlamentar, për të hetuar zgjedhjet e qershorit, edhe sipas rekomandimeve të KE-së. Por sipas nënkryetarit të PD-së, ky komision do të hetojë deri atje ku parashikon Kushtetuta dhe ligjet e vendit. Në lidhje me bojkotin e PS-së, Patozi theksoi se ai kishte besim se do të përfundonte së shpejti, nisur edhe nga fakti se bojkoti më shumë se këdo tjetër po dëmtonte vetë PS-në. Por sipas Patozit, edhe nëse Rama nuk e mendon heqjen dorë nga bojkoti, ai duhet t’u lirojë rrugën deputetëve të tij për të kryer detyrën në Parlament.
Si i gjykoni akuzat e hedhura nga opozita, sipas të cilave përmbytjet në veri të vendit kanë ardhur si pasojë e keqmenaxhimit të hidrocentraleve dhe aferave korruptive që ka kërkuar të bëjë qeveria me importin e energjisë elektrike?
Përgjigjja më e mirë në fakt këtyre akuzave u është dhënë në terren nga qeveria dhe gjithë agjencitë dhe individët e angazhuar në operacionin anti-përmbytje, por mbi të gjitha nga vetë banorët e dëmtuar të Shkodrës dhe rrethinave të saj, të cilët kanë shprehur mirënjohje për shtetin që iu gjend në krah dhe refuzim e neveri për ata që deshën të instrumentalizonin fatkeqësinë e tyre natyrore. Por një mënyrë tjetër për t’iu përgjigjur dhe për të bërë diferencën mes atyre që ndihmojnë dhe të tjerëve që përpiqen të përfitojnë nga fatkeqësitë, ka qenë edhe seanca e jashtëzakonshme e së hënës në Kuvendin e Shqipërisë. Partia Socialiste, megjithëse e kishte kërkuar vetë, mungoi në këtë debat, dhe mosprania e saj në sallën e Parlamentit ishte sa papërgjegjshmëri politike, aq edhe pranim i heshtur i fajit në raportin e saj me atë që ndodhi në Shkodër, pas atij moti të jashtëzakonshëm me reshje të paimagjinueshme.
Kur mendoni se situata në zonën e Shkodrës do të kthehet në normalitet dhe si e shihni punën e komitetit të emergjencës për rehabilitimin e zonës?
Do të ishte e tepruar që unë të jepja sot një datë kur pasojat e përmbytjes do të jenë plotësisht të kapërcyera dhe jeta në rrethinat e Shkodrës të jetë kthyer në normalitet. Madje, kjo do të ishte një pyetje që mund të vinte pak në vështirësi edhe shtabin e emergjencës dhe specialistët që ende janë të instaluar në terren. Por ajo që mund të thuhet me siguri është se shpejtësia me të cilën u përballua dhe po menaxhohen ndikimet e fatkeqësisë janë të admirueshme. Qeveria ka gati skemën e kompensimit dhe shumë shpejt të gjithë qytetarët e lënduar në forma të ndryshe nga përmbytja do të dëmshpërblen. Ndërkohë, unë mendoj që më e rëndësishme se sa të gjitha këto, është fakti se qeveria dhe agjencitë e tjera shtetërore janë të angazhuara për një strategji afatgjatë që do të shmangë përsëritjen e ngjarjeve të tilla të rënda në të ardhmen, jo vetëm në Qarkun e Shkodrës, por edhe gjetkë në Shqipëri, kudo ku ka një kërcënim përmbytjeje apo fatkeqësi të ngjashme.
Sipas një projektrezolute të Këshillit të Europës për Shqipërinë, zgjedhjet e qershorit duhet të hetohen dhe opozita duhet të kthehet në Parlament. A është e gatshme mazhoranca për t’i hetuar zgjedhjet e kaluara?
Ne e kemi përshëndetur këtë projektrezolutë sidomos për dy kërkesat e saj kryesore, të cilat i theksoni edhe ju në pyetjen tuaj. Por që një komision parlamentar të nisë punën për të hetuar, duhet që deputetët socialistë të vijnë në Kuvend dhe të betohen. Ne sërish jemi të gatshëm që t’ua japim atyre shumicën e këtij komisioni, ndonëse ligji për komisionet hetimore parlamentare e përcakton ndryshe. është një instrument që do të jetë tërësisht në dispozicionin e interesave të opozitës për të hetuar zgjedhjet, pasi edhe kryetari do t’i përkasë Partisë Socialiste. Sigurisht që ky hetim duhet të bëhet në përputhje të plotë me Kushtetutën, ligjet e vendit dhe rregullat e shtetit ligjor. Gjithmonë nëse transparenca e këtyre zgjedhjeve është qëllimi i vërtetë i bojkotit të deritanishëm. Por në rast se kjo është thjesht një alibi për të justifikuar një qëndrim politik që i shërben interesave personale të kryetarit të Partisë Socialiste, ne sigurisht që jemi të pafuqishëm dhe ndoshta edhe të papredispozuar për t’ia zgjidhur atij të gjitha hallet.
Po kështu, në projektrezolutë kërkohet që Presidenti Topi të bëjë rolin e ndërmjetësit për zgjidhjen e situatës së krijuar mes palëve. Mendoni se përfshirja e Topit në negociata do t’i shërbente zgjidhjes së situatës?
Unë e mirëkuptoj qëllimin e mirë të projektrezolutës për të gjetur patjetër një zgjidhje, por nuk mendoj se është ky rasti i artë për ndërhyrjen e Presidentit që opozita të vijë në Parlament. Ne nuk kemi një debat real me opozitën as për pjesëmarrje e saj në Kuvendin e Shqipërisë, dhe as për hetimin e zgjedhjeve si një e drejtë legjitime e saj. Ndërkohë që ka një debat që sa vjen e po ashpërsohet më shumë brenda vetë Partisë Socialiste, për të ruajtur strategjinë e pafrytshme dhe absurde të bojkotit, apo për t’i dhënë fund asaj. Dhe sigurisht është jashtë çdo logjike që Presidenti i Republikës të konsiderojë rolin e tij në një debat që zhvillohet brenda një partie politike, qoftë ajo edhe më e madhja e opozitës.
çfarë mund t’i ofrojë më shumë mazhoranca opozitës, në mënyrë që bojkoti i saj të ndërpritet dhe mandatet e deputetëve socialistë të mos digjen, si pasojë e moskryerjes së betimit deri më 4 mars?
Të gjithë hapësirën e nevojshme në çdo kërkesë të saj për të hetuar zgjedhjet apo ndonjë temë tjetër, sigurisht duke pasur parasysh Kushtetutën, ligjet e vendit dhe rregullat e njohura të shtetit ligjor. Respektin për rolin e saj të pazëvendësueshëm në një shtet demokratik, si dhe portën e dialogut institucional gjithmonë të hapur dykanatësh. Sepse vendi ka nevojë jetike për bashkëpunimin e palëve, sidomos kur bëhet fjalë për reformat e mëdha, që kanë një vlerë të jashtëzakonshme për integrimin e Shqipërisë. Kjo nuk është se do të ndodhë për herë të parë, që të shikohet me skepticizëm dhe me dyshim nga vetë aktorët politikë apo nga publiku. Ne tashmë kemi mbi shpinë një eksperiencë të pasur dhe pozitive, kur veçanërisht partitë e mëdha kanë lënë mënjanë interesat e vogla dhe të çastit, dhe kanë bashkëpunuar për çështje madhore në dobi të vendit. Dhe kjo trashëgimi nuk është për t’u hedhur, por për t’u krenuar dhe për t’u zhvilluar më tej.
Shqipëria pret liberalizimin e vizave në qershor të këtij viti. Mendoni se bojkoti i opozitës dhe mosgjetja e një konsensusi për miratimin e ligjeve të rëndësishme për këtë proces do ta vonojë lëvizjen e lirë të shqiptarëve?
E para, unë vazhdoj të besoj një skenar më të mirë për opozitën, që ajo më në fund të gjejë vetveten dhe të shkëputet nga një politikë që më shumë se gjithçka tjetër, dëmton atë vetë. Për të qenë i sinqertë, nuk besoj shumë se këtë do ta bëjë me vullnet të mirë Edi Rama, pavarësisht se dje e kam përshëndetur qëndrimin e tij ndaj projektrezolutës së Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës. Ajo që të binte në sy dje, në deklaratën e tij mbushur me slogane të njohura dhe me patetizëm, ishte mospërmendja e hapjes së kutive. Uroj që ky të jetë një reflektim për të hequr dorë nga kërkesa për gjëra të pamundura. Por në finale, më shumë rëndësi ka rezultati, sesa mënyra se si arrihet ai. I bindur ose jo brenda vetes së tij, ka vlerë që Edi Rama të lirojë rrugën e deputetëve të vet për të marrë detyrën në Parlament, pas më shumë se gjashtë muajsh mungesë krejtësisht të pajustifikueshme dhe krejtësisht joproduktive për Partinë Socialiste.
Ndaj unë kam shpresë se bojkoti i opozitës nuk do të vijojë pafund, por edhe në rast se mungesa e arsyes do ta errësojë përfundimisht veprimin politik të Partisë Socialiste, nuk besoj se ai qëndrim do të cenonte procesin e liberalizmit të vizave, si dhe hapat e Shqipërisë drejt integrimit në Bashkimin Europian, të cilat i konsideroj se janë në një vektor të pakthyeshëm.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›