M.Toçi: Elbasani të përsëritë derbin e fazës së parë
Verdhebluve nuk u falet të gabojnë në Gramsh, sepse më pas i presin disa sfida të vështira radhazi, vendimtare për objektivin e sezonit
Elbasani ka përpara derbin me Gramshin, për të cilin stafi teknik ka më shumë ditë në dispozicion për ta përgatitur ekipin. Është një transfertë delikate dhe verdheblutë duhet tia bëjnë hyzmetin për ta fituar për të shpresuar më pas për një vend në 5-shen e parë. Pas fitores me Skraparin, ku Elbasani tregoi një formë të mirë, kalendari rezervon disa ndeshje të vështira, që duhen përballuar patjetër me sukses.
Malorja e verdhebluve nis në Gramsh dhe vazhdon më pas me Besëlidhjen brenda, Gramozin jashtë dhe Luftëtarin përsëri brenda. Këto javë do të qartësojnë dhe pozicionin e këtij ekipi, por kuptohet që përcaktues do të jetë derbi. Në radhët e Elbasanit ka besim të madh për kalimin me sukses të çdo kundërshtari, por kjo mbetet për tu parë në fushë.
Mateos Toçi Mesfushori i talentuar Mateos Toçi shprehet se Elbasani nuk ka frikë asnjë ekip kundërshtar dhe në Gramsh do të shkojë me objektivin e vetëm për ta fituar ndeshjen. Elbasani i fazës së dytë ka mundësi më të mëdha për të qenë fitues në çdo fushë. Nuk i frikësohemi asnjë kundërshtari, përkundrazi, ata duhet të na e kenë frikën.
Mendoj se jemi pretendentë seriozë për tu ngjitur një kategori më lart dhe kurrë nuk jemi dorëzuar. Do të shkojmë në Gramsh vetëm për fitore, duke u munduar që të përsëritim ndeshjen e fazës së parë, kur fituam thellë.
Jemi të vetëdijshëm që do të jetë shumë e vështirë, por për ne është shansi i fundit për superligën. Nuk na falet asnjë gabim. Dua të shënoj sërish në këtë ndeshje, ashtu si fazën e parë, por kuptohet që është e rëndësishme të fitojë ekipi, ka theksuar mes të tjerash Mateos Toçi.
Me ekipin po stërvitet tashmë edhe mbrojtësi Aldo Bella, pas dëmtimit që pësoi në ndeshjen me Besën. Ai ishte një nga shtyllat e mbrojtjes verdheblu gjatë fazës së parë, bashkë me Seksenin. Bella pritet që të kthehet të luajë në muajin mars.
