E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama: 28 janar, demonstratë homazh për të rënët

Nga Express më 24 janar 2011 në ora 19:22

Në një konferencë shtypi, pak minuta pas takimit me kreun e shtetit Bamir Topi, kryetari i Opozitës, Edi Rama ka deklaruar se të premten opozita do të organizojë demonstratë paqësore.

“Në 28 janar ne do t’i kundërvihemi në mënyrë paqësore kësaj dhune. Le ta përgatisim 28 janarin me lutjen për shpirtin e atyre që mbetën të vrarë në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”", tha Rama, siç transmeton ABCnews.

Kryesocialisti Rama duke iu referuar akuzave të mbrëmshme të kryeministrit Berisha ndaj kryeprokurores Ina Rama dhe SHISH-it, si pjesëmarrës në puçin ndaj shtetit, theksoi se “Berisha po bën presion ndaj Prokurorisë dhe Shërbimit Informativ Shtetëror”.

Sipas Ramës, SHISH dhe Prokuroria janë të vetmit institucione që Berisha nuk i ka vënë dot nën zgjedhë.

“Në 28 janar do të protestojmë për të nderuar të vrarët”, tha Rama duke vërejtur se shqiptarët kërkojnë që ekzekutorët të vihen përballë drejtësisë”.

E në këtë kontekst Rama akuzoi Policinë e Shtetit se me aktin e rëndë të mosarrestimit të gardistëve po tregon se nuk po i përgjigjet detyrës së saj në mbrojtje të popullit dhe lirisë.

Rama hedh poshtë akuzat për grusht shtet

Kryetari i Partisë Socialiste të Shqipërisë, Edi Rama tha se opozita nuk dëshiron ta marrë pushtetin "me forcë" dhe "në rrugë", dhe i hodhi poshtë akuzat për grusht shtet.

"Nuk ka grusht shtet, grusht shteti është vetëm në kokën" e kryeministrit Sali Berisha i tha Rama agjencisë AFP.

Kryebashkiaku i Tiranës gjithashtu tha se opozita nuk dëshiron "të vijë në pushtet me forcë".

Berisha e akuzoi Ramën se u përpoq të kryejë grusht shteti duke organizuar protestat në 21 janar, ku e humbën jetën tre njerëz.

"Përpjekja e dytë e tij për grusht shtet do të jetë fatale për të dhe për të gjithë që e ndjekin", tha Berisha duke iu referuar protestave që i ka caktuar opozita.

Rama tha se opozita shqiptare "nuk ka skenar si ai i Tunizisë, por pas vetes ka popullin, e dëshpëruar nga regjimi i Sali Berishës", i cili dëshiron që me mjete paqësore ta çojë përpara betejën për demokraci.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›