E Shtunë, 31 Tetor 2026

Topi mbron Ina Ramën për Gërdecin

Presidenti Bamir Topi del në mbrojtje të Kryeprokurores Ina Rama. Një ditë pas akuzave dhe dyshimeve të ish-ministrit të Mbrojtjes, Fatmir Mediut, kreu i shtetit ka theksuar fuqishëm se në institucionet kushtetuese nuk bëhet politikë, por punohet me profesionalizëm. Numri një i shtetit ka sqaruar në ditën e Pashkëve dyshimet e kreut të republikanëve lidhur me mënyrën e hetimit për ngjarjen e Gërdecit, për të cilën ai dha edhe dorëheqjen, duke e quajtur si një akt moral. Duke dhënë gjykimin dhe vlerësimin e tij si kryetar shteti për punën e Prokurorisë së Përgjithshme, Topi u shpreh se "mendoj që Prokuroria po bën një punë korrekte". Presidenti theksoi se politika shqiptare është mësuar t‘i trajtojë gjërat politikisht edhe për institucionet të cilat janë ligjore dhe kushtetuese. Duke dalë në mbrojtje të institucioneve kushtetuese të vendit, Topi ka përcjellë mesazhin se "në këto institucione nuk bëhet politikë, por punohet me profesionalizëm". Hetimet e "Gërdecit" e kanë pozicionuar Presidentin Topi në anën e Prokurorisë së Përgjithshme, duke e cilësuar punën e Ina Ramës si korrekte. Duke bërë një kthim në të kaluarën, kreu i shtetit citoi se politikanët tanë për shtatëmbëdhjetë vjet me radhë i kemi dëgjuar të shprehen nga mëngjesi deri në mbrëmje për shtetin e së drejtës, shtetin ligjor, ndërsa tani ai kërkon mirëkuptim nga ata për të lënë shtetin ligjor të bëjë punën e vet. "Në momentin kur fillojnë të funksionojnë gjërat dhe ligji, këtë akt duhet që të gjithë ta përgëzojnë dhe jo ta paragjykojnë", është shprehur Presidenti Topi dje, pasi ka dalë nga Kisha Autoqefale Ortodokse Shqiptare.

"Unë besoj që ky është momenti më i rëndësishëm që të kemi besim, sepse sapo u shpreha për domosdoshmërinë e rikthimit të besimit. Të kemi besim tek institucionet, s‘duhet të paragjykojmë asgjë dhe të presim që gjërat edhe në rastin konkret të hetohen dhe të trajtohen me shumë profesionalizëm", u shpreh ai. Kreu i shtetit ka garantuar gjithashtu që aktualisht pas kohës së Theodhori Sollakut nuk ka asnjë influencë politike në institucionin e Prokurorisë së Përgjithshme. "E rëndësishme është që sot, në prillin e vitit 2008, të jeni të sigurtë që nuk ka absolutisht asnjë lloj influence politike mbi këtë institucion, asnjë lloj influence klienteliste. Dhe ky është momenti i rikthimit të besimit te ky institucion, i cili për vite me radhë ka qenë mjaft i politizuar", tha ai. Një ditë më parë, ish-ministri i Mbrojtjes i kanë ardhur krejt të papritura deklaratat e shefes së Prokurorisë së Përgjithshme lidhur me çështjen famëkeqe të Gërdecit. Ish-ministri i Mbrojtjes është informuar vetëm nëpërmjet medias mbi qëndrimin e prokurorisë lidhur me kërkesën që Mediut t‘i hiqet imuniteti për t‘u ndjekur penalisht. Mediu e ka cilësuar hetimin si tendencioz, duke hedhur dyshime se pas Prokurores së Përgjithshme fshihen emra të tjerë që synojnë ta veshin atë me përgjegjësi ligjore. Ai ka përjashtuar rastin se mund të jetë Berisha ai që kërkon veshjen e Mediut me përgjegjësi ligjore, duke e lënë Kryeministrin jashtë tabelës së fajtorëve për tragjedinë e Gërdecit, por nuk ka bërë publik emrin për të cilin ai dyshon se fshihet pas Ina Ramës. "Nuk besoj që Kryeministri ka firmosur akte që kanë të bëjnë me demontimin", tha ai, i cili e ka vënë gishtin e fajtorit tek ushtarakët, por nuk ka guxuar të shkojë më tej për të nxjerrë emra të tjerë, të cilët fshihen pas numrit një të Prokurorisë së Përgjithshme, Ina Rama.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›