E Shtunë, 31 Tetor 2026

Topalli: Imunitetin ta dorëzojnë të gjithë deputetët

Partia Demokratike është shprehur hapur pro dorëzimit të imunitetit të 140 deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë. Qëndrimi i PD-së është konfirmuar dje nga Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, duke kërkuar jo vetëm imunitetin e Mediut, por edhe të të gjithë ligjvënësve. Drejtuesja e Kuvendit ka cilësuar si zgjidhjen më të drejtë, atë të heqjes së imuniteteve të të gjithë ligjvënësve, në mënyrë që të mos pengohet asnjë hetim i nisur nga Prokuroria e Përgjithshme në lidhje me dyshimet që ajo ka në adresë të të zgjedhurve nga vota e popullit. Imuniteti pengon Prokurorinë e Përgjithshme që të nisë procedurat për ndjekje penale dhe në këtë mënyrë pengon edhe vazhdimin e hetimeve për ngjarjen që tronditi vendin më 15 mars. "Që në 2005-n kemi kërkuar heqjen e imunitetit për të gjithë deputetët. Kjo është zgjidhja më e mirë. Ky është rasti me anë të të cilit i japim vetes moralin më të fortë dhe profilin e një politikani me integritet", tha Topalli. Ajo kërkon që "të shfrytëzohet edhe ky rast meqenëse herët e tjera nuk është shfrytëzuar, në mënyrë që të gjithë deputetët të pranojnë që të mos i njohin vetes imunitetin në raport me fenomene të caktuara. Ky është politikani i vërtetë", tha Kryetarja e Kuvendit. Ajo ka konfirmuar që menjëherë, në bazë të Rregullores së Kuvendit, do t‘u dërgohen shkresat anëtarëve të Këshillit për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetet, dhe më pas do të merret vendimi përfundimtar në lidhje me imunitetet. "Këshilli do të mblidhet sapo të njihet me materialet dhe do të procedohet në bazë të Rregullores dhe Kushtetutës, sikurse është vepruar edhe në rastet e tjera", tha Topalli. Prokurorja e Përgjithshme, Ina Rama, i ka paraqitur Kuvendit kërkesën për heqjen e imunitetit të Fatmir Mediut si deputet. Kërkesa e Prokurorisë së Përgjithshme ka rreth 22 faqe dhe në të janë dhënë në mënyrë të përmbledhur të gjitha shkeljet që organi i akuzës pretendon se janë bërë gjatë kohës kur Fatmir Mediu ka qenë ministër i Mbrojtjes. Kjo kërkesë e organit të akuzës do të merret në shqyrtim nga Kuvendi i Shqipërisë, i cili në bazë të nenit 118 të Rregullores së Kuvendit do të bëjë edhe shqyrtimin e saj. Në këtë nen thuhet se heqja e imunitetit të deputetit do të shqyrtohet nga Këshilli për Rregulloren, Imunitetin dhe Mandatet dhe vë në dijeni Kuvendin në seancën e parë parlamentare. Shqyrtimi i kërkesës për dhënien e autorizimit për fillimin e ndjekjes penale ose arrestimin e një deputeti vendoset si pikë e parë e rendit të ditës, të seancës së dytë pasardhëse pas paraqitjes së raportit të Këshillit të Rregullores. Në seancën plenare, fjala i jepet në fillim deputetit, ndaj të cilit është paraqitur kërkesa për të dhënë shpjegime, ose për t‘iu përgjigjur pyetjeve të deputetëve. Kuvendi vendos me votim të fshehtë nëse do të jepet ose do të rrezohet dhënia e autorizimit për fillimin e ndjekjes penale ndaj deputetit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›