E Diel, 1 Nëntor 2026

Pentagoni ndryshon procedurat e tenderit të armëve në Afganistan

Ushtria amerikane do të rishikojë në shkallë të gjerë të gjitha procedurat për furnizimin e forcave të sigurisë në Afganistan dhe Irak me armë nga jashtë. "New York Times" njofton se fatin e AEY-se do ta pësojnë edhe disa kompani private, të cilat do të pezullohen në vazhdim. "Departamenti i Mbrojtjes po mundohet të korrigjojë proceset e kontraktimit me firma të tjera", bën të ditur gjenerali Mortensen. Kompania AEY në Miami Beach, e cila i sillte këto armë nga vendet e tjera i ndërpreu lidhjet muajin që kaloi, pasi shiste për ushtrinë amerikane armë kineze, duke pretenduar se ishin hungareze. Sipas ushtrisë, AEY ka shitur mbi 125 milionë fishekë në Afganistan. Nga dokumentet e marra nga Shqipëria, shumica e fishekëve ishin prodhim kinez, të cilat mbaheshin në depo. Sipas ekspertëve të armëve, municionet e ndodhura në Shqipëri ishin të një cilësie të dobët, pasi ishin prodhuar para vitit 1960. Analisti Peter Danssaert i institutit të studimeve në Belgjikë, në një intervistë për "New York Times" është shprehur se "është shumë e çuditshme si qeveria amerikane ka lejuar futjen e municioneve shqiptare, pasi të gjithë ne e dimë se ato janë të një cilësie shumë të dobët". Sipas tij, çmimi shumë i ulët i fishekëve në Shqipëri, përkatësisht 2.2 cent për copë, tregon cilësinë e ulët, si dhe vjetërsinë e tyre. Ed Grasso, presidenti i kompanisë "Sellier & Bellot", i cili ka furnizuar me municione çeke ushtrinë në Afganistan, është shprehur se "fishekët e kompanisë AEY janë shitur me 20 deri në 30 cent për copë".

Ushtria vendosi të rishikonte procedurat e kontratave, duke qenë se zyrtarë të industrisë së armëve bënë të ditur se shumë kohë përpara pezullimit të kompanisë AEY, ishte e qartë se ushtria kishte dështuar, duke qenë se nuk kishte marrë parasysh faktorët e rrezikut në të shkuarën e kompanisë AEY dhe aktivitetin e saj, duke u joshur nga oferta e ulet. "Problemet me kontratën u bënë sërish evidente kur presidenti i kompanisë AEY u pa duke bërë pazar për të blerë municione të huaja, përfshirë këtu edhe raketë hedhës në një prezantim armësh", thanë zyrtarët amerikanë. Sipas tyre, shuma e parave që ofronte për të blerë këto municione dhe armët ishte e vogël për të blerë municione të mira. Kontrata e AEY me Pentagonin ka tërhequr vëmendjen e tre komisioneve në kongres, të cilat pritet të kenë seanca të veçanta dëgjimore për këtë çështje.

Studiuesit e tregtisë së armëve vënë në dukje se AEY dhe kompani të tjera nënkontraktore kanë bashkëpunuar jashtë me kompani të dyshimta dhe Pentagoni nuk i ka mbikëqyrur. "Diveroli ka bërë tregti me dy kompani që përfshihen në listat e zeza në SHBA dhe gjatë një telefonate të regjistruar ka sugjeruar për korrupsion gjatë blerjes së armëve në Shqipëri", shkruan NYT që shton, "teksa agjentët federalë bastisën zyrat e kompanisë së tij në Majemi vitin e kaluar, Diveroli vazhdonte i qetë biznesin përtej detit". Sipas gazetës, studiues të pavarur të tregtisë së armëve në botë thonë se Pentagoni duhet ta merrte me mend rrezikun kur mësoi se Diveroli do t‘i blinte armët në Shqipëri. Agjencia e eksportit është përfshirë në skandale në të kaluarën dhe me municione të vjetra e të cilësisë së dobët, çka sipas zyrtarëve ka qenë dhe arsyeja që e ka tërhequr Diverolin drejt Shqipërisë.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›