Mourinho, heshtje të përjetshme?

Zëvëndëstrajneri i Real Madridit, Aitor Karanka ka reaguar pas dënimit të Jose Mourinhos me pesë ndeshje, duke thënë se portugezi nuk do të flasë derisa të sqarohen arsyet e dënimit.
UEFA kishte konfirmuar të premten se ka dënuar Jose Mourinhon me pesë ndeshje pas komenteve kontraverse dhe akuzave të drejtpërderjta për favorizim të Barcelonës. Sipas Aitor Karankas, Mourinho nuk do ta hapë gojën derisa të sqarohen saktë arsyet e pezullimit.
“Ai nuk e ka pritur mirë këtë. UEFA kurrë nuk ka sqaruar arsyet. Klubi ka lëshuar një deklaratë ku ka paralajmëruar apelimin e vendimit. Mourinho do ta mbrojë veten derisa t`i vihet fundi kësaj pune. Mourinho nuk do të flasë tani sepse ai dëshiron drejtësi. Ne duam të fokusohemi në kampionat tani”.
“Ideja është që derisa UEFA të mos sqarojë arsyet e pezullimit, Mourinho të mos flasë në konferenca për shtyp”, theksoi Karanka.
Duke parë faktin se UEFA nuk e ka si praktikë të veten sqarimet e mëtejshme ndaj individëve të caktuar pas shpërndarjes së masave disiplinore, mund të parashikojmë një heshtje të përjetshme të njeriut më kontravers në futbollin botëror, Jose Mourinhos.