E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shuhet në Bullgari shkrimtari shqiptar

Shpesh e cilësuan "Rilindësi i fundit shqiptar në mërgim". Sot nuk është më. U nda nga jeta në Sofje të Bullgarisë shkrimtari Thoma Kacorri. "Mërgimtari i pa mërguar kurrë" ndërroi jetë në moshën 86-vjeçare, më 13 dhjetor 2008, gjashtë muaj pasi Presidenti i Republikës, Bamir Topi, i akordoi titullin e lartë "Nderi i Kombit". Thoma Kacorri u lind në Shtikë të Kolonjës, në vitin 1922, në një familje atdhetare. U regjistrua në Liceun e Korçës, ku mësoi katër vjet. Në ditët e para të prillit të vitit 1939, Thomai liceist do të ngrihej së bashku me studentët, profesorët e qytetarët korçarë në protestat kundër pushtimit të Shqipërisë nga Italia fashiste. Por pushtuesit fashistë italianë ia pushtuan vendin e ia mbyllën edhe liceun. E ai, me babanë mërgimtar në Amerikë, emigroi së bashku me nënën, te vëllezërit e saj në Bullgari. Aty kreu studimet e larta në Universitetin e Sofjes, Fakultetin e Drejtësisë Administrative dhe më vonë, me konkurs do të emërohej lektor i gjuhës shqipe i letërsisë shqiptare. Shërbeu për një kohë të gjatë shef i Katedrës së Gjuhës Shqipe në këtë universitet. Po aty vazhdoi edhe studimet në degën e Filologjisë Frënge. Që në fëmijëri do të shfaqeshin te Thomai shkëndijat e talentit të tij për letërsinë. Pasi botoi një sërë tregimesh në shtypin shqiptar e atë bullgar, më 1957-ën, do të botojë vëllimin e parë me tregime "Jetë me brenga". Një vit më vonë, më 1958-ën, botoi novelën "Ditë që s‘harrohen", me të cilën u vlerësua me çmim të dytë në konkursin letrar kombëtar të organizuar nga Lidhja e Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë. Po atë vit u pranua anëtar i kësaj lidhjeje. Më 1961-shin botoi romanin "Për Mëmëdhenë", roman me dy vëllime. Rruga e tij krijuese në letërsi do të vazhdonte deri sa të mbyllte sytë. Më 1963-shin botoi librin "Dashuria", novelë e gjatë dhe po atë vit, më 1963-shin, botoi romanin "Shpata e Kastriotëve" dhe një vëllim me "Fabula". Me këtë vëllim, ai u vlerësua edhe si një prej fabulistëve më të mirë. Në vitin 1996 botoi në Shkup librin "100 Fabula". Më 1989-ën botohet në Tiranë romani "Bijtë e shtrëngatës" dhe "Kandili i De Radës". Vitin e kaluar, më 2007-ën, botoi në Shkup romanin "Kryetrimi i Arbërisë-Skënderbeu" dhe librin me tregime "Tregime të moçme". Ka botuar edhe mjaft vepra në gjuhën bullgare. Më 1998-ën u botua në Sofje libri "Albania", me bashkautor Bobi Bobev. Libri bëri jehonë të madhe. Thoma Kacorri kreu një veprimtari të gjerë edhe në fushën e studimeve shkencore. Ai është bashkautor dhe redaktor i pjesës në gjuhën shqipe të "Fjalorit bullgarisht-shqip", si dhe autor i dy librave për mësimin e gjuhës shqipe nga të huajt, njëri në versionin bullgarisht dhe tjetri në anglisht. Kacorri ishte studiues në zhvillimin e shkencave albanologjike. Ka botuar një numër artikujsh shkencorë e libra që kanë tërhequr vëmendjen e albanologëve e studiuesve në të gjitha trevat shqiptare, për thellësinë e mendimit, si dhe për argumentet shkencore. Një vend me rëndësi në krijimtarinë e tij zë sidomos libri "Ndriçime".
Thomai ishte një hulumtues i rrallë i gjuhës shqipe, i formimit, prejardhjes, evoluimit e pasurimit të saj ndër shekuj. Ishte njohës shumë i mirë i 6-7 gjuhëve të huaja dhe një përkthyes i talentuar. Për kontributin në fushën e shkencës, Thoma Kacorri është dekoruar me propozim të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë me Urdhrin "Naim Frashëri" të Klasit I me motivacionin "Për kontribut të shquar në zhvillimin e shkencave albanologjike". Gjithë jetën dhe talentin e tij e vuri në dobi të kombit, në dobi të përparimit të vendit. "Trupin e kam në Sofje, por mendjen dhe zemrën e kam përherë në Shqipëri, në mëmëdheun tim të shtrenjtë", do të deklaronte jo rrallëherë Thoma Kacorri.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›