Madrilenët, individualistë

Mesfushori i Barcelonës, Xavi Hernandez e ka hedhur poshtë çdo krahasim në mes të ekipit të tij dhe rivalit Real Madrid. Mediat spanjolle shkruajnë se ekipi madrilen gradualisht po e rrëmben stilin e suksesshëm të lojës së katalunasve. Mirëpo, kështu nuk mendon edhe ylli spanjoll. Ai mendon se Reali do të fokusohet në lojtarët individualë dhe se kurrë nuk do të mund të krahasohet me sistemin kolektiv të Barçës.
“Diferenca më e madhe është shprehja në individualistë. Kjo e bën lojën e Realit të kundërt me atë tonën. Ju mund ta shihni, ne kemi lojtarë të mëdhenj individualë si Lionel Messi, i cili mund ta mbajë i vetëm lojën, por ne më shumë mbështetemi në bashkimin dhe në kolektivitetin tonë. Në anën tjetër, Reali mundohet ta fitojë lojën me klasin e individëve. Për ne gjithçka ka të bëjë me kolektivin”, deklaroi mesfushori spanjoll për të përditshmen Der Tagesspiegel.
Xavi kujton se Reali është munduar ta kopjojë lojën e Barçës, kur janë takuar këto dy ekipe, duke u munduar ta sulmojë ekipin e Pep Guardiolës që në minutat e para. Kjo, sipas tij, ka ndodhur edhe në këtë kohë të Jose Mourinhos, por edhe në periudhën e Manuel Pellegrinit. Gjithashtu, kapiteni i ekipit katalunas ka thënë se sistemi 3-4-3, i vendosur në disa prej ndeshjeve të fundit, nuk ka qenë i suksesshëm siç pritej, ngase lë shumë hapësira prapa.