E Shtunë, 31 Tetor 2026

Magani: Besa nuk dorëzohet, merr pikë në Burrel

Nga Leonard Dushku
Besa ka përpara një transfertë shumë të vështirë, siç është ajo me Burrelin. Eshtë një fushë e vështirë, por kavajasit, të cilët synojnë ta përmirësojnë nivelin e lojës dhe pozicionin në tabelën e klasifikimit, shkojnë me besimin se do të kthehen me pikë nga stadiumi Liri Ballabani.

Trajneri peqinas, Gugash Magani, i cili shprehu rezervat e tij në lidhje me nivelin e lojës pas ndeshjes me Butrintin, edhe pse Besa fitoi, gjykon se skuadra është gati ta përballojë sfidën e radhës, pasi me këtë qëllim është punuar gjatë gjithë këtyre ditëve: Jemi thuasje gati për transfertën e vështirë të Burrelit.

E kemi të qartë se për ne do të jetë një 90-minutësh i fortë, ku të 3 rezultatet janë të mundshëm. Luajmë ndaj një ekipi të fortë dhe në fushën e tij, ndaj dhe është e qartë që kërkohet angazhim maksimal nga të gjithë ata që do të jenë në fushë. Kemi punuar me shumë seriozitet dhe ju siguroj se nuk do të jemi për shëtitje në Burrel. Do të përpiqemi me të gjitha mundësitë që kemi për të marrë rezultat pozitiv.

Shpresoj të bëjmë një lojë të bukur, së cilës ti përgjigjet rezultati përfundimtar. Objektivi ynë është kthimi në superligë dhe për këtë na duhet të fitojmë edhe në transfertë. Nuk kemi pse ta fshehim se në Burrel do të kërkojmë fitoren, ka theksuar mes të tjerash tranjeri i skuadrës kavajase, Gugash Magani.

Lajmi i mirë për të është rikthimi i mesfushorit fierak, Artion Poçi, i cili është rregullatori i lojës së Besës. Bashkë me disa elementë të tjerë me përvojë, të quajturit senatorë, siç janë Mihani, Dhëmbi dhe Bubeqi, ai pritet ta udhëheqë Besën drejt fitores në Burrel, fitore që në këtë moment do të kishte vlera të mëdha për 3 pikët, por dhe për forcimin e besimit  për ecurinë e mëtejshme. Në 11 javë kampionat, kavajasit kanë marrë vetëm një fitore jashtë fushës së tyre, konkretisht në Himarë.

 

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›