Sinani: Luftëtari është më i fortë, ska arsye të mos fitojë
Mbrojtësi gjirokastrit, Besmir Sinai, thekson se Gramozi nuk është nënvlerësuar aspak dhe beson se do të merren 3 pikët e radhës
Një ndeshje futbolli mund të fitohet nga ai ekip që është i motivuar për të arritur një objektiv të caktuar dhe nëse ai beson se vërtet do ta arrijë këtë gjë. Te Luftëtari për 4 sezone radhazi, më tepër duke u nisur nga emri i tij dhe jo nga faktorë të tjerë, është deklaruar se objektivi i tij ishte kthimi në superiore, por që në javët e para të kampionateve paraardhëse kuptohej qartë se çdo gjë ishte një bllof.
Ndryshe është këtë sezon, ku deklaratat dhe objektivi është i njëjtë, por në thelb ekipi është pretendent kryesor për ta realizuar atë. Kjo në radhë të parë u bë e mundur nga kompozimi i ekipit me mjaft futbollistë profesionistë për nivelin e futbollit tonë kombëtar. Për të qenë me këmbë në tokë, ende asgjë nuk është kristalizuar, pasi në vazhdim janë edhe plot 19 ndeshje për tu zhvilluar dhe askush nuk mund të profetizojë se çfarë do të ndodhë, aq më tepër që pas fazës së parë ekipet do të hyjnë në merkato.
Por, një gjë mund të thuhet që tani: nëse Luftëtari do të vazhdojë me ritmet e deritanishme, 8 pikë të humbura në 11 ndeshje, me siguri që do të ankorohet në superligë. Kështu, në respekt të këtij ritmi, ekipi gjirokastrit duhet të përlajë 3 pikët me Gramozin, që e pret në fushën e tij. Çdo e papritur për të dhe jo për rivalët, menjëherë sjell pështjellime në krye të renditjes provizore.
Sinani Besmir Sinani, një nga qendërmbrojtësit e ekipit në fjalë, shprehet: Pas humbjes me Gramshin në ekipin tonë ka rënë një farë ankthi, edhe pse nuk flitet për një gjë të tillë. Ndërkohë të gjithë gjatë gjthë ditëve janë stërvitur me tërë forcat e tyre për të qenë të gatshëm dhe në formë për ndeshjen me Gramozin.
U pa në ndeshjen e fundit se Luftëtari duhet të jetë i gatshëm të përballojë jo vetëm ekipin kundërshtar, por edhe ndonjë gjyqtar, qoftë edhe anësor. Dhe kjo bëhet duke shënuar sa më shumë gola, sepse, në fund të fundit, gjyqtarët mund të anulojnë një gol padrejtësisht ose mund të mos japin një 11-metërsh të saktë në favorin tonë dhe mund të japin një të tillë për kundërshtarin edhe pa qenë i tillë. Këto kanë ndodhur dhe do të ndodhin dhe jo vetëm për Luftëtarin.
Ne si futbollistë duhet të realizojmë sa më mirë detyrat që na jepen nga trajnerët tanë dhe këtë duhet ta bëjmë që në ndeshjen e radhës me Gramozin, që natyrisht ka synimet e tij dhe do të luftojë për to. Nuk ka arsye që të mos fitojmë 3 pikët në fushën tonë me Gramozin, të cilin nuk e nënvlerësojmë aspak, por ndërkaq themi se Luftëtari është më i fortë se ai. E vetmja gjë që duhet të kemi kujdes është se jo gjithonë fiton më i forti, por këtë radhë nuk do të bëhet përjashtim nga rregulli dhe Luftëtari do të fitojë 3 pikët.
