E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ministria zgjidh ngërçin, Partizani bëhet me financa

Nga ILIR CARA

Mësohet se në llogaritë bankare të futbollistëve dhe të stafit kanë kaluar rrogat e para për të kuqtë. Miratohet kuota për transfertat

Partizani i këtij sezoni është nën përkujdesjen e Ministrisë së Mbrojtjes, e cila do të sigurojë edhe anën financiare të tyre. Fillimi ishte optimist, më pas pati një periudhë të turbullut, ku përpos premtimve nuk po shikohej ndonjë zgjidhje financiare. Por dhjetori ka nisur mbarë për Partizanin, pasi ministria e ka zgjidhur ngërçin financiar. Mësohet se në llogaritë bankare të futbollistëve dhe stafit janë kaluar rrogat e para. Të kuqtë janë lajmëruar që të shkojnë në sportelin e bankës për të tërhequr shumat e kaluara nga ministria.

Gjithçka ka ndodhur në pasditen e djeshme, por ende nuk dihet shuma që kanë marrë dhe sa është numri i futbollistëve që janë shlyer. Aktualisht me Partizanin përgatiten një numër i madh lojtarësh, por jo të gjithë do të trajtohen me rrogë. Lajmin në fjalë për kalimin e rrogave në llogaritë bankare e konfirmon për Sportin shqiptar edhe administratori Gjergji Thaka, i cili është lajmëruar nga zyrtarët e dikasterit të mbrojtjes për pagesat në fjalë.

Kjo është lëvizja që prisnin të gjithë, pasi në këtë mënyrë djemtë do të jenë më të motivuar për ta kryer me sukses misionin që kemi marrë përsipër, ngjitjen në kategorinë e parë. Për mua ky është një lajm që konfirmon se Partizani po bëhet. Por siç e kemi thënë e mira nuk ka fund dhe në janar shpresojmë të mësojmë lajme akoma më të mira, që kanë të bëjnë me ringjalljen e Partizanit,- u shpreh administratori i të kuqve, Gjergji Thaka.

Përveç kalimit të rrogave mësohet se nga ndërmarrjet ku varet Partrizani është miratuar edhe fondi për çdo ndeshje që skuadra do të luajë në transfertë. Mësohet se për çdo ndeshje jashtë kryeqytetit, skuadra ka në dispozicion një kuotë prej një milonë lekësh (të vjetra), shumë e cila ka qenë edhe për ndeshjen e  javës së shkuar me Delvinën, takim i cili u luajt në Këlcyrë. Nesër Partizani pret ndjekësin më të afërt, Turbinën, ku është thënë se për fitoren me cërrikasit padyshim do të ketë shpërblim.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›