E Shtunë, 31 Tetor 2026

Lushnja pret dhurata nga java e 12-të

Nga Julian Kasapi

Lushnjarët besojnë se e kanë në xhep fitoren me gramshiotët dhe presin që rivalët e tyre të hedhin ndonjë hap fals

Në mjediset futbolldashëse lushnjare, por edhe nga vetë futbollistët, mezi pritet takimi i javës së 12-të, që do të luhet në stadiumin Roza Haxhiu, ku vjen Gramshi. Janë dy skuadra, që kanë shumë dallime mes tyre. Lushnjarët kërkojnë superligën, ku mungojnë prej disa sezonesh, ndaj dhe janë përgatitur me shumë seriozitet për këtë 90-minutësh. Ata nuk llogarisin asnjë rezultat tjetër, përveç fitores, pasi është një ndeshje brenda dhe ndaj një kundërshtari që është mundur gjithmonë në Lushnjë.

Pavarësisht kësaj, gjatë gjithë javës stërvitore është punuar shumë për riaftësimin e futbollistëve të dëmtuar, si dhe për të ndrequr defektet e vogla. Është punuar më shumë për finalizimin e saktë të rasteve, pasi skuadra lushnjare krijon shumë dhe finalizon pak. Pikërisht goditjes së portës kundërshtare i është kushtuar vëmendje, pasi edhe sulmuesi kryesor Fatjon Sefa ende nuk është çliruar, ndonëse forma e tij është e kënaqshme. Ai është një futbollist që u hap shumë punë mbrojtjeve kundërshtare, por nuk po shfaqet si golashënues.

Atmosfera Tifozëria lushnjare e bëri punën e saj në ndeshjen e shkuar në Roza Haxhiu, ku numri ishte rreth tre mijë, por e tregoi edhe në Mamurras me Ilirinë, ku më shumë tifozë ishin nga Lushnja se nga Fushë-Kruja. Kësaj radhe, duke marrë parasysh edhe fitoren e transfertës dhe pozicionin e skuadrës, të gjithë shpresojnë në ndonjë hap fals të rivalëve dhe askush nuk mendon rezultat tjetër veç fitores me Gramshin, që gjithsesi nuk është nënvlerësuar.

Stafi teknik lushnjar ka në dispozicion fomacionin bazë, përveç kapitenit Çela, i cili dhe këtë javë do të qëndrojë jashtë fushës së blertë. Formacioni më i mundshëm është: Bejte në portë, Bufasi, Mërtiri, Hasalla dhe Sula në mbrojtje, Topi, Gjoni, Byzhyti dhe R.Sula në mesfushë, ndërsa në sulm dyshja Sefa-Canka.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›