Magazinat ushtarake në flakë, banorët arratisen nga shtëpitë
PUKË- Djegia e ish-magazinave ushtarake në qytetin e Pukës ka shkaktuar panik tek banorët e këtij qyteti. Zjarri ka ka përfshirë brenda pak minutash magazinat në afërsi të stadiumit të qytetit, duke shkaktuar panik tek banorët përreth. Kanë qenë disa mbeturina të hedhura në afërsi të ish- magazinave të ushtrisë, që aktualisht përdoren si vend për magazinimin dhe përpunimin e bimëve industriale dhe kërpudhave, ato që kanë marrë zjarr dhe më pas flakët kanë përfshirë edhe magazinat. Sipas banorëve të qytetit të Pukës, janë dëgjuar disa shpërthime të lehta, që mendohet të jenë shpërthime fishekësh të mbetur në këto ambiente, por pa pasoja.
Prej disa kohësh, ish- magazinat ushtarake në Pukë ishin boshatisur dhe armatimi ishte transportuar diku tjetër, ndërsa ato përdoreshin për përpunimin e kërpudhave dhe magazinimin e bimëve industriale . Ndërhyrja e zjarrfikëseve, e mbështetur dhe nga banorët e zonës ka sjellë fikjen e flakëve të zjarrit pas një operacioni që zgjati tre orë. Sipas policisë lokale, shpërthimet e dëgjuara nga banorët e zonës nuk lidhen me ish -magazinat ushtarake, pasi prej kohësh aty nuk gjendet asnjë lloj armatimi. “Mendojmë se ka qenë ndonjë fishek apo kapsollë e mbetur aty, që ka shpërthyer pas përhapjes së flakëve”,-bëjnë me dije zyrtarë të policisë.
Pas ftohjes së terrenit të përfshirë nga flakët, policia premton se do të zbulojë shkakun e zjarrit, por edhe shpërthimet që janë dëgjuar nga banorët e Pukës. Banorë të qytetit të Pukës shprehen për “Shekullin”se shpërthimet, ndonëse jo të forta kanë shkaktuar panik dhe mjaft prej atyre që jetojnë aty pranë, kanë braktisur banesat e tyre, të frikësuar nga ndonjë shpërthim edhe më i madh. Një vatër zjarri në lagjen “Manush Alimani” tek vendi i quajtur “Shtëpia e Mushkonjës” ka rrezikuar djegien e disa kabllove elektrikë. Ndërhyrja e zjarrfikëseve ka qenë e shpejtë, duke evituar pasojat që mund të kishte ky zjarr.