E Diel, 1 Nëntor 2026

"Magjistari" Ronaldinjo, 58 milionë sterlina nga Abramoviç

Ronaldinjo do të nënshkruajë një kontratë prej 58 milionë sterlinash me Celsin, nëse ai vendos të bashkohet me "blutë". "Sulmuesi i Barcelonës dëshiron të largohet nga "Kamp Nou" dhe agjenti i tij pranoi të nënshkruante një kontratë pesëvjecare me një pagesë prej 11.6 milionë sterlina në vit (rreth 17 milionë euro)", - shkruan tabloidi britanik "The Sun". Gjithsesi, shtypi britanik pohon se Ronaldinjo mund të hedhë poshtë ofertën e Roman Abramovicit dhe të zgjedhë për të shkuar diku tjetër. Nëse Celsi do të binte dakord me Barcelonën për t'i paguar edhe klubit katalanas një shumë të majme, atëherë transferimi i fituesit të Kupës së Botës do të kryhej në fund të sezonit. 27-vjecari do të ishte lojtari më i paguar në Premier Ligën angleze, me një pagë javore prej 223.000 sterlinash, 88 sterlina më shumë se paga që merr kapiteni i "Bluve", Xhon Terri. Celsi nuk do të paguajë për Ronaldinjon klauzolën e prishjes së kontratës shumën prej 85 milionë sterlinash, por dëshiron të ofrojë për brazilianin një shumë rekord prej 70 milionë sterlinash. Kontrata aktuale e Ronaldinjos përfundon pas tre sezonesh dhe braziliani përfiton në Spanjë një pagesë prej 135.000 në javë. Edhe Milani është gjithashtu i interesuar për blerjen e Ronaldinjos, por media britanike shton se klubi italian nuk mund të jetë i aftë të konkurrojë ofertën e bërë nga Celsi. Frank Rajkard, trajneri i Barcelonës, i cilësoi kritikat në adresë të brazilianit Ronaldinjo si të padrejta dhe hodhi poshtë idenë e transferimit të tij. "Ata që po e kritikojnë Ronaldinjon janë duke bërë një padrejtësi, pasi nuk duhet të harrojnë se falë vlerave të tij të pabesueshme dhe gjërave që ka bërë ai, Barcelona ka arritur deri këtu ku është aktualisht", - tha trajneri holandez. Ronaldinjo ka treguar shumë pak nga forma e tij e jashtëzakonshme dhe kritikat ndaj tij janë shtuar pas daljeve të gjata gjatë natës përpara ndeshjeve të Barcës. Rajkard nuk e thirri Ronaldinjon për ndeshjen kundër Sargozës. "Të gjithë duhet të kuptojmë se jemi qenie njerëzore dhe kemi problemet tona herë pas here. Kur Ronaldinjo do të ndihet mirë fizikisht, do të shohim atë lojtar që e njohim të gjithë. Ai është shumë i rëndësishëm për ne", – shtoi Rajkard, i cili është totalisht kundër transferimit të brazilianit të famshëm te klubi i Celsit.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›