Magjistratura pranon studentët e sistemit katërvjeçar
Të gjithë të diplomuarit e Fakultetit të Drejtësisë në sistemin katërvjeçar përgjatë këtij viti do të mund të aplikojnë për në Shkollën e Magjistraturës, pasi diplomat e tyre do të njihen si Diploma të Integruara të Nivelit të Dytë, që është kriteri i aplikimit. Burime nga kjo shkollë bëjnë të ditur se ministri i sapoemëruar i Arsimit, z. Myqerem Tafaj, ka dërguar një shkresë pranë këtij institucioni, ku kërkon pranimin e këtyre të diplomuarve. Kjo është mundësuar tashmë, kur është zgjidhur ngërçi i krijuar mes Universitetit të Tiranës dhe Ministrisë së Arsimit, për diplomat e sistemit katërvjeçar, pasi ministri i ri i Arsimit, z. Myqerem Tafaj, ka vendosur që të urdhërojë regjistrimin e këtyre diplomave si Diploma të Integruara të Nivelit të Dytë, duke pezulluar një vendim të mëparshëm të ministrisë. Vendimi i mëparshëm përcaktonte se të gjithë studentët që kanë përfunduar sivjet studime 4-vjeçare, do të merrnin një diplomë “hibride”, sipas Ministrisë së Arsimit dhe të Shkencës. Juristët, ekonomistët e të diplomuarit në profile të tjera 4-vjeçare gjatë vitit të kaluar akademik, do të merrnin, sipas vendimit të kaluar, në përfundim të studimeve “diplomë universitare, 4 vite akademike me 240 kredite”, në ndryshim nga pritshmëria e tyre për Diplomë të Integruar të Nivelit të Dytë.