E Shtunë, 31 Tetor 2026

Maikon kercenon Interin

Interi dhe Maikon janë përfshirë në një mundje krahu me kuptimin e vërtetë të fjalës. Braziliani kërkon me çdo kusht të largohet, për t’iu bashkuar Realit të Zhoze Murinjos dhe për ta realizuar këtë, ai është i gatshëm të shfrytëzojë nenin 17 të FIFA-s.

Klubi duket se është dorëzuar përballë këmbënguljes së mbrojtësit, megjithatë Morati pretendon të përfitojë të paktën 5 milionë euro nga shitja e lojtarit. Por, Maikon nga ana e tij kërkon të largohet me parametër zero drejt Spanjës, ku Murinjo e pret me krahët e hapur.

Sipas nenit 17 të FIFA-s, futbollisti 31-vjeçar mund të largohet vetëm për 2 milionë euro, duke qenë se ai është në vitin e fundit të kontratës me Interin. Para të cilat Maikon mund të pranonte ti paguante edhe nga xhepi i tij, vetëm që të luante në “Santiago Bernabeu”.

Madje, braziliani është i gatshëm që të ulë në mënyrë të ndjeshme edhe rrogën për të qenë pjesë e Realit të Madridit. Nga situata e krijuar, kur ka mbetur pak më shumë se një javë nga mbyllja e merkatos, ka shumë pikëpyetje.

Ndërkohë, çështja Maikon duket se ka zbehur disi entuziazmin te zikaltërit për afrimin e sulmuesit Antonio Kasano dhe huazimin e mesfushorit nga Uruguai, Valter Gargano, me të cilin mendohej se skuadra do të ishte e kompletuar.

Ndërkohë, deri në zgjidhjen e së ardhmes së Maikon, trajneri Stramaçoni ka vendosur që të mbështetet te lojtari për ndeshjen e parë në fazën “play-off” të Europa League, ku Interi do të luajë në Rumani përballë Vasluit.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›