E Shtunë, 31 Tetor 2026

Maiorca përjashtohet nga Europa League

UEFA e ka përjashtuar Maiorcan nga lista e skuadrave të renditura për të marrë pjesë ne Europa League, edhe pse e kishte siguruar kualifikimin sezonin e kaluar, pasi e kishte përfunduar kampionatin në pozitën e pestë në ligën spanjolle.

Përjashtimi nga organizata e udhëhequr nga Michel Platini ka ardhur si pasojë e problemeve ekonomike të klubit, i cili duket se ka borxh të deklaruar prej rreth 80 milionë eurosh.

Organi i Kontrollit dhe Disiplinës së UEFA-s, i cili u mblodh të enjten mbrëma, vendosi të mos e licencojë ekipin spanjoll për pjesëmarrje në Europa League. Spanjollët, përmes ueb faqes së vet zyrtare, e kanë shfaqur hidhërimin e tyre ndaj vendimit të UEFA-s.

“Real Mallorca ndihet e zemëruar thellë dhe e zhgënjyer me këtë vendim, i cili do t’i prekë thellë tifozët tanë”. Vendin e Maiorcas në Europa League do ta zë Villarreal, i cili e kishte përfunduar kampionatin në pozitën e shtatë të La Liga.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›