E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shoshi, trajner i Besës

Kryesia e Besës ka vendosur që Valdet Shoshi ta udhëheq ekipin pejan sezonin e ardhshëm. Në mbledhjen e vetë të mbajtur të premten mbrëma, udhëheqësia e klubit vendosi unanimisht për trajnerin pejan, i cili do ta zëvendësojë kështu Genc Hoxhën, i cili nuk arriti marrëveshje me ekipin bardh e kuq, për vazhdimin e kontratës.

Lajmin e ka konfirmuar nënkryetari i Besës, Bakir Burri, i cili ishte i shkurtër. “Kryesia vendosi unanimisht për Valdet Shoshin. Nuk kemi mjete që ta kënaqim Genc Hoxhën, me kërkesat e tij, kështu që vendosëm për Shoshin, ngase nuk ka trajner më të mirë vendor (pejan) për momentin”, tha Burri për Express.

Trajneri i deritashëm, Genc Hoxha, ia kishte parashtruar klubit pejan të premten kushtet e tij, të cilat nuk i përshtateshin politikës së re të Besës, e cila reduktoi rrogat për futbollistët dhe shtabin teknik.

Andaj, trajneri gjakovar, i cili ishte më i suksesshmi në futbollin e pasluftës me ekipin pejan, duhet të kërkojë punë në një klub tjetër.

Ndërkohë, Burri ka treguar se enjten mbrëma, pas takimit dypalësh, është arritur marrëveshja me të gjithë futbollistët për vazhdimin e kontratës.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›