E Diel, 1 Nëntor 2026

Transplantojnë 5 organe, mjekët shpëtojnë fëmijën shqiptar në Itali

 

Me një operacion rekord, mjekët italianë i shpëtojnë jetën fëmijës shqiptar. Pesë organet: zorra e trashë, mëlçia, stomaku, shpretka e pankreasi, u transplantuan njëherësh nga ekipi i bluzave të bardha të Ospedali Riuniti të qytetit të Bergamos. Vetëm pas 6 orësh në sallë, ata kanë mundur të pohojnë se gjithçka shkoi si duhet. Etionit 20 muajsh, i lindur nga një çift shqiptar me banim pranë Milanos, i janë dhuruar organet e një foshnjeje që humbi jetën pak ditë pas lindjes. Ndërhyrja doli me sukses dhe vogëlushi shumë shpejt do të mund të bëjë një jetë normale. Për 37-vjeçarin Jetnor Fejzo, babain e fëmijës,  mirënjohja ndaj mjekëve dhe familjes së dhuruesit nuk mund të shprehet me fjalë. Ai tha se është i lumtur që jeta e fëmijës së tij shpëtoi, megjithëse do të ketë nevojë për mjekime të gjata, mbase të përhershme. Madje nuk ka nguruar të bëjë edhe apelin e tij për zhvillimin e mëtejshëm të praktikës së organeve. “Falënderoj mjekët dhe dhuruesit, mua çfarëdo të më ndodhë në jetë do t’i dhuroj organet e mija. Tashmë mund të marr frymë i çliruar, falë operacionit që u bë fëmija im është mirë”, u shpreh i ati. Ai shtoi se duke mos pasur nënshtetësinë italiane e ka pasur të vështirë të marrë trajtimin mjekësor për të birin. “Kam bërë edhe apel në televizion por nuk mora asnjë rezultat. Por tani falënderoj Zotin që isha në Itali, që gjeta spitalin e Bergamos me ekipin e mrekullueshëm që ka dhe që i shpëtoi jetën tim biri”, tha ai. Transplanti i rrallë është i dyti që kryen ekipi i kirurgjisë së III, i drejtuar nga Michelle Colledan. I pari është kryer tek një fëmijë 17-muajsh në vitin 2006. “Ky operacion, të cilit iu nënshtrua Etioni, është një ndërhyrje për të cilën kanë nevojë pak fëmijë. Por për fat të keq pjesa më e madhe e tyre vdesin në listën e pritjes. Në Itali ka akoma pak njohuri për trasplantin dhe për faktin që në Berbamo ekziston një qendër që është në gjendje të kryejë me sukses të tilla ndërhyrje”, tha kryekirurgu Michelle Colledan. Sipas tij, e rëndësishme është edhe ndjekja e pacientit pas operacionit madje ajo mund të vazhdojë gjatë gjithë jetës. Ospedali Riuniti në  Bergamo është qendra e vetme italiane në gjendje të realizojë transplante të këtyre përmasave.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›