E Shtunë, 31 Tetor 2026

Plani me 6 pika, Kosova kundër Tadiç

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Hajredin Kuçi, i tha BBC-së se kërkesa për fillimin e zbatimit të planit gjashtëpikësh është përpjekje për të ringritur tensionet brenda Kosovës dhe në raportet e saj me Serbinë. Zoti Kuçi tha se çështja e gjashtëpikëshit për Kosovën është e përfunduar dhe ajo do të zbatojë vetëm aktet e veta juridike dhe ligjet e saj në tërë territorin e Kosovës. Deklaratat e Kuçit pasuan një letër të Presidentit serb, Boris Tadiç, dërguar sekretarit të përgjithshëm, Ban Ki Moon, me të cilën kërkohet përcaktimi i një axhende për fillimin e zbatimit të planit gjashtëpikësh, që u miratua në Këshillin e Sigurimit së bashku me një përgjigje katërpikëshe të Prishtinës zyrtare. Ndërkohë, partitë opozitare në Kosovë thonë se plani gjashtëpikësh ka filluar të zbatohet, për shkak të "mungesës së vizionit të qeverisë aktuale" për t‘u shtrirë në të gjithë territorin e Kosovës. Autoritetet ndërkombëtare bënë me dije se misioni i EULEX-it duhet të zbatojë raportin e sekretarit të përgjithshëm, Ban Ki Moon, dhe kanë paralajmëruar mundësinë e bisedimeve të nivelit teknik mes Prishtinës e Beogradit rreth tij.
Cili është qëndrimi mbi mundësinë e zbatimit të planit gjashtëpikësh për Kosovën?
Besoj se zhvillimet politike që kanë ndodhur edhe në Këshillin e Sigurimit të OKB-së dhe më vonë, kanë dhënë një qëndrim të qartë të Republikës së Kosovës se ai dokument është inekzistent, i papranueshëm dhe i pazbatueshëm në Republikën e Kosovës. Tendencat për të krijuar iluzione se mund të bisedohet apo të zbatohet një plan inekzistent për Kosovën, një plan apo një marrëveshje që është arritur mes Serbisë dhe dikujt tjetër dhe shumë i neutralizuar në Këshillin e Sigurimit, mendoj se janë tendenca për një luftë politike brenda përbrenda Serbisë, apo ndoshta edhe më shumë për një ngritje të tensioneve brenda Kosovës por edhe atyre Kosovë-Serbi, dhe në një mënyrë ose një tjetër që Serbia të provojë ta ngrejë këtë çështje para bashkësisë ndërkombëtare.
Për Kosovën, nuk ka plan gjashtëpikësh, për Kosovën këto çështje tanimë janë të përfunduara. Kosova do të zbatojë aktet e veta juridike, që nga Kushtetuta dhe ligjet e tjera, në këtë drejtim për të gjithë qytetarët në tërë territorin e vendit. Ndërsa me Serbinë apo dikë tjetër mund të jemi në raporte si shtete fqinje, në raporte për integrime apo për interesa rajonale dhe ato që janë për integrime evropiane. Por të mos krijojmë logjikën që dikush mund të imponojë zgjidhje mbi bazën e kërcënimeve në përmasa destruktive që mund t‘i ketë brenda territorit. Serbia mund ta kërcënojë Kosovën me çështje të tilla, por Kosova ka një siguri të vetën, edhe juridike edhe politike, edhe në planin e sigurisë.
Në këtë drejtim, besoj se është më mirë për Serbinë që të gjenden pikat e takimit që zhvillojnë bashkëpunimin, dhe ndihmojnë në bashkëpunimin jo vetëm rajonal por edhe në integrime evropiane, se sa të tentojë që ta kthejë çështjen në pikën zero. Në Kosovë ka qenë psikozë, do të thosha, për ditë të tëra për këtë çështje, por tani gjërat po ecin mirë edhe në raport me EULEX-in edhe me aktet e tjera juridike. Për Kosovën pyetet Kosova, institucionet e saj legjitime në koordinim me bashkësinë ndërkombëtare. Sa më pak që Serbia të interesohet për Kosovën, më e lehtë do të jetë edhe për atë vetë, por edhe për rajonin.
Por, ka pasur ditëve të fundit edhe deklarata të zyrtarëve të misionit të OKB-së në Kosovë se mund të ketë sërish biseda në nivel teknik për zbatimin e këtij plani?
Misioni i OKB-së në Kosovë, tani edhe me pëlqimin e Këshillit të Sigurimit, është në fazën e plotë të përfundimit të mandatit të tij në Kosovë. Mandati i tij... do të thosha, me suksese e dështime, por më shumë i suksesshëm edhe në ndërtimin e infrastrukturës demokratike në Kosovë, në vendosjen e menaxhimit ndërkombëtar, por po ashtu edhe të statusit përfundimtar të Kosovës. Mendoj se misioni i OKB-së nuk duhet të lejojë veten që të lërë një shije të keqe për qytetarët e Republikës së Kosovës. Ai duhet të merret më shumë me bartjen, do të thosha, teknike të transferimit, ndërsa për proceset në të ardhmen, po e përsëris, do të vendosë Kosova, qytetarët dhe institucionet e saj. Nuk ka logjikë që dikush të na imponojë ndonjë zgjidhje e aq më pak të provojë që të lërë njëlloj amaneti se çfarë duhet të bëjë gjithsecili. Kosova di dhe e ka rrugën e vet.
Misioni evropian për drejtësi dhe polici është shtrirë në të gjithë Kosovën. Por, duket sikur nuk ka ende një përcaktim të qartë për mandatin e tij. Ju keni pasur biseda me zyrtarët e EULEX-it. I keni sqaruar çështjet e mandateve?
Ne jemi të kënaqur me fazën e parë të shtrirjes së EULEX-it dhe dua të them se është një simbolikë e shtrirjes së tij në të gjithë territorin. Por kjo simbolikë ka një perceptim pozitiv për qytetarët e Republikës, ka një perceptim pozitiv për të gjithë ata që duan rendin dhe ligjin në Kosovë. Në anën tjetër, të gjithë e dinë se EULEX-i ka ardhur në Kosovë mbi një ftesë që ia kanë bërë institucionet e Kosovës, mbi aktet juridike që i kemi nxjerrë, mbi ligjet e Kushtetutën në Kuvendin e Kosovës dhe mbi një vendim që e ka marrë BE-ja. Në këtë rast, mendoj se EULEX-i nuk ka nevojë që të bëjë trajtim politik për veprimtarinë e tij në Kosovë, por duhet të merret më shumë me çështjet praktike dhe funksionale. Tanimë nuk është pyetja a është shtrirë apo a do të shtrihet EULEX-i në Kosovë, është pyetja që të jetë funksional dhe bashkërendues me institucionet e Kosovës dhe çdo veprim i tij të jetë i bazuar në aktet juridike dhe politike që ka Kosova.
Dhe mbi të gjitha duhet ta kemi parasysh, se ato kompetenca janë dhënë mbi bazën e vullnetit tonë dhe ato kompetenca do të jenë çdo herë të mbikëqyrura dhe të koordinuara me institucionet e Republikës së Kosovës. Ne e plotësojmë njëri-tjetrin me EULEX-in dhe nuk e konkurrojmë. EULEX-i nuk është neutral, sepse vetë ardhja e tij është bërë mbi bazën e vendimeve që e kanë shpallur Kosovën shtet sovran dhe të pavarur. Mund të bëhen gara në Bruksel apo Nju Jork mbi atë se si të jetë ai, mund të pacifohet dikush duke menduar, apo proklamuar që EULEX-i është neutral, por në Republikën e Kosovës, me njohjet ndërkombëtare që i kemi fituar, me aktet juridike që i kemi, çdo gjë është e qartë, është e kthjellët si loti; EULEX-i e di misionin e tij dhe ai mision është mbi bazën e kompetencave që ne ia kemi dhënë, që mund t‘ia japim apo edhe kufizojmë në të ardhmen.
Dhe ky jo-neutralitet nënkupton edhe Veriun e Kosovës, apo jo?
Dua të them se raporti me Veriun dhe me të tjerët tani pas shtrirjes së EULEX-it është simbolik që të vendoset rendi dhe ligji. Për nëntë vjet, atje nuk ka sunduar rendi dhe ligji, për nëntë vjet atje kemi pasur një perceptim negativ të shumicës për atë pjesë sikur edhe të pakicës për vetë pjesën ku ka qëndruar. Kur flasim për EULEX-in dhe misionin e tij, nuk flasim për një pjesë të Kosovës, por për EULEX-in si mision në tërësi dhe për Kosovën si tërësi territoriale. Çdo shmangie nga ky qëndrim apo tendenca për të shtrirë autoritetin mendoj se është shmangie nga misioni dhe do ta rishqyrtojmë shumë thellë.
Ne do të jemi bashkërendues, mbështetës të fortë të misionit të EULEX-it, çfarë jemi edhe tani, por çdo lëshim eventual do të jemi të parët që do ta vërejmë. Unë jam i bindur se gjërat po shkojnë mirë dhe nuk ka nevojë për ngritje të ndonjë shqetësimi. Misioni i EULEX-it për pesimistët është më i mirë se sa ka mundur të mendohet, ndërsa ne jemi tani në fazën kur kërkojmë plan operacional, kur kërkojmë funksionalitet të plotë të EULEX-it dhe kur kërkojmë që në Kosovë të sundojë rendi dhe ligji në cilëndo pjesë, edhe në Veri edhe në Jug, dhe në pjesët e tjera. Në këtë drejtim institucionet e Kosovës, që janë për rendin dhe ligjin, do të dalin në radhë të parë dhe do të kërkojnë mbështetje qoftë profesionale, qoftë tjetër nga pjesëtarët e EULEX-it.
Si mendoni ta zbatoni rendin dhe ligjin në Veri kur nuk keni kontroll mbi këtë pjesë dhe kur kjo pjesë, siç e thatë, ka nëntë vjet që nuk është administruar madje as edhe nga misioni ndërkombëtar?
Vendosja e misionit të EULEX-it, rikthimi do të thosha i simbolikës së numrit dhe të autoritetit të EULEX-it, është një shenjë e mirë se në atë pjesë do të sundojë rendi dhe ligji. Ne kemi mirëkuptim për mbështetjen që EULEX-i duhet ta ketë nga institucionet vendore, por edhe popullata lokale, por gjithnjë në funksion dhe me qëllim të zbatimit të akteve juridike të Kosovës të rendit dhe të ligjit. Në këtë drejtim, jam i bindur se EULEX-i, në faza të caktuara, brenda këtij sezoni, do të kryejë misionin e tij dhe hap pas hapi do t‘i bashkëngjiten institucionet e Kosovës në atë pjesë. Kërkesë e jona ndaj EULEX-it është të mos ndryshojë një status-quo nga UNMIK-u në një status-quo tjetër, por të ndryshojë mentalitetin dhe veprimtarinë dhe të jepet përshtypja se me ardhjen e EULEX-it ka ardhur rendi dhe ligji dhe jo se janë ndryshuar disa uniforma ose tabela. Po ashtu, institucionet e Kosovës, në kuptimin pozitiv, do të bëjnë presion tek anëtarët e EULEX-it që të vendosin rendin dhe ligjin në cilëndo pjesë të Republikës së Kosovës, duke marrë përgjegjësinë primare që na takon neve.

Deklarata

Bogdanoviç: Serbia do
zbatojë planin 6-pikësh
Ministri për Kosovën në qeverinë e Serbisë, Goran Bogdanoviç, tha dje në Graçanicë se Beogradi do të vazhdojë të punojë me UNMIK-un dhe EULEX-in rreth zbatimit të planit gjashtëpikësh të sekretarit të përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara, Ban Ki Moon, që është hedhur poshtë nga autoritetet në Kosovë. Udhëheqësit në Prishtinë thanë ndërkaq se vizita e ministrit Bogdanoviç është bërë me lejen e autoriteteve vendase.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›