Majko: Duhet tryezë, nga sheshi nuk mund të bisedohet
Anëtari i kryesisë socialiste, Pandeli Majko e cilëson rolin e Presidentit të Republikës pozitiv në këtë situatë politike. Majko shprehet se kontributi i tij do të ishte i mirëpritur. “Padyshim, e kam shprehur edhe më përpara se kjo është detyra kryesore e numrit një të shtetit shqiptar. Çdo rol që do të merrej për këtë situatë do të ishte i mirëpritur”, u shpreh Majko. Deputeti socialist dhe ish-kryeministër Pandeli Majko i ka thënë BBC-së dje se duhet ngritur tryeza e bisedimeve, sepse nga sheshi nuk mund të bisedohet dhe pastaj të shihet se çfarë duhet të lëshojnë palët. “Problemi është që nuk mund të deklarojmë se çfarë do të lëshohet, kur tryeza nuk ekziston”, tha Majko.
Deputeti socialist është shprehur se opozita nuk ka bërë asnjë deklaratë për përdorimin e dhunës në rast të mosgjetjes së dialogut me qeverinë. Majko theksoi se forcat e PS-së janë 100.
“Verifikimi i votës sot për Shqipërinë dhe shqiptarët nuk është thjesht një kërkesë, por është një konkluzion, një konkluzion i viteve të vështira të tranzicionit, ku kutitë së bashku me rezultatin e manipuluar janë mbyllur dhe varrosur. Sot Sali Berisha dhe qeveria e tij i thonë opozitës t’i drejtohet prokurorisë për votën e vjedhur, po kujt prokurorie? Kujt t’i drejtohemi? Kësaj drejtësie e cila ka kaq kohë që ne presim, që socialistët presin, kolegët e një deputeti të vrarë presin për përgjigje dhe përgjigjja nuk ka ardhur”, është shprehur Majko në mitingun e protestës së opozitës. Sipas tij, sot institucionet e shtetit shqiptar ngjajnë me kutitë e pahapura të votës së lirë të shqiptarëve. Sot kjo godinë është një kuti e pahapur, sot prokuroria është një kuti e pahapur, drejtësia është një kuti e pahapur. Ne nuk mund të lejojmë që fati i Shqipërisë të mbyllet në kutinë e Sali Berishës.