Majko: Zgjedhjet, si goli me dorë i Maradonës
Ish-kryeministri, njëkohësisht deputet i Partisë Socialiste, Pandeli Majko, deklaroi dje në seancë se “ndodhemi pas një numërimi mbrapsht dhe pas kërkesës së ndërkombëtarëve”. Ne, vijoi ai, e dimë mirë ku na pikon çatia. “Pritshmëria është te gjetja e konsensusit. Ne nuk vëmë në diskutim vendimet e KQZ-së apo të Gjykatës së Apelit. Nëse do t’i vinim në diskutim këto, do thosha po është antikushtetuese. Ne nuk e kontestojmë rezultatin e zgjedhjeve. Ne duam hetim me logjikën se komisioni hetimor nuk do marrë rolin e gjykatës dhe as prokurorisë”, tha Majko. Ja e zëmë se u pranua dhe hapim kutitë, vijoi ai, ndodh më e keqja dhe kërkojmë të vëmë në diskutim legjitimitetin, por nuk e ka mazhoranca në dorë votën përfundimtare. “Ne duam siguri dhe mirëbesim. Ne nuk duam të penalizojmë asnjë komisioner. Maradona e bëri me dorë golin, por u zbulua, e çfarë ndryshoi? Rezultati? Jo. Vjedhjet e votave në Shqipëri kanë qenë në çdo zgjedhje, edhe kur keni qenë ju në pushtet, edhe kur kemi qenë ne. Si do t’i përgjigjeni një rezultati 300 me 0. Duhet mbyllur një herë e mirë kjo histori”, insistoi Majko.
#