Zhduket vajza e biznesmenit, iku në shkollë e su kthye më
Vajza e një biznesmeni në Tiranë është zhdukur që prej tri ditësh dhe ende nuk është rënë në gjurmët e saj. Bëhet fjalë për një 17-vjeçare, e cila është edhe mbesa e një prokurori në kryeqytet, që ishte nisur për në shkollë dhe nuk është kthyer në shtëpi. Menjëherë prindërit kanë telefonuar policinë, duke kërkuar ndihmën e tyre, por që nuk është mundësuar gjetja. Burimet policore të kryeqytetit thanë se denoncimi është bërë pranë Komisariatit Nr.2. Nga të dhënat mësohet se babai i vajzës 17-vjeçare, Anxhelina J., është paraqitur në polici dhe ka deklaruar se ajo nuk ishte kthyer në banesë, ashtu siç vinte çdo ditë. Ai e kishte kërkuar te shoqet, por nga ato ishte njoftuar se e bija kishte braktisur mësimin. I ati i adoleshentes ka shpjeguar se ajo studionte te gjimnazi “Petro Nini Luarasi”. Tri ditë më parë ajo ishte paraqitur në shkollë dhe pasi ka mbaruar tri orët e para, është larguar duke mos u kthyer më. Në orët e pasdites, i ati ishte shqetësuar. Policia e Tiranës e ka shpallur në kërkim adoleshenten, duke ua dhënë emrin e vajzës së zhdukur gjithë shërbimeve policore. Ajo është kërkuar për dy ditë rresht, por nuk është rënë në gjurmët e saj. Burime policore thanë se janë pyetur edhe miqtë e adoleshentes, megjithatë nuk dihet ende asnjë informacion. E vetmja e dhënë ka ardhur nga një i njohur i gjimnazistes, i cili ka deklaruar se e kishte parë atë nga liqeni të shoqëruar me një tjetër person. Sipas të dhënave, kjo nuk është vërtetuar, pavarësisht se menjëherë zona është kontrolluar me patrulla të policisë. Tashmë, ende nuk dihet nëse vajza është larguar me dëshirën e saj, apo ka rënë pre e ndonjë akti kriminal. Deri në orët e vona të mbrëmjes së të enjtes, policia nuk ka pasur ndonjë informacion zyrtar nëse vajza është gjetur, apo kthyer në banesë, ndaj dhe ata vazhdojnë kërkimet për të. Vetëm pak ditë më parë, tri vajza të tjera u larguan me dëshirën e tyre dhe nuk u kthyen derisa policia i gjeti në Lezhë. Një prej tyre ishte mbesa e një prej krerëve të policisë, të cilat gjatë marrjes në pyetje deklaruan se e kishin kryer këtë veprim për t’u bërë të famshme. Madje, kur u kapën në Lezhë, ato ishin në një parukeri, duke ndryshuar edhe pamjen e jashtme, me qëllim që të mos njihen. Njëra prej tyre kishte vjedhur paratë e nënës emigrante dhe me to mendonin të merrnin një shtëpi me qira e të punonin shitëse në ndonjë dyqan në qytetin e Lezhës.
#