E Hënë, 2 Nëntor 2026

Majko e Januçi takojnë kosovaren e mbijetuar nga aksidenti i Fushë-Arrëzit

25/02/2005  Ministri i Mbrojtjes Pandeli Majko dhe ambasadori i Italisë në Tiranë, Januçi, pritën në aeroportin Nënë Tereza në Rinas nxënsen e shkollës së mesme Abdyl Frashëri të komunës Malishevë të Kosovës, Ardita Zylfa, një nga të mbijetuarat e aksidentit automobilistik në Fushë-Arrëz, në tetorin e vitit të kaluar. Në ditën e aksidentit, me interesim të drejtpërdrejtë të ministrit Majko dhe ambasadorit Januçi, gjimnazistja Ardita Zylfa, pas mjekimit të menjëhershëm në Spitalin Ushtarak, u tansportua për tu kuruar në spitalet e Italisë. Për më se 5 muaj me rradhë ajo i është nënshtruar mjekimeve të specializuara në klinikat mjekësore dhe në qendrat e riaftësimit në Brindisi dhe Pulia.

Gjatë takimit me vajzën kosovare, ministri i Mbrojtjes Majko dhe ambasadori Januçi e uruan atë për shërimin e saj të plotë dhe kthimin sa më mirë pranë familjes së saj.

Duke falenderuar mjekët italian për kujdesin e veçantë që treguan për vajzën, ministri Majko vuri në dukje edhe kontributin e veçantë të mjekëve të Spitalit Ushtarak, të cilët u dhanë trajtimin e parë mjekësor të plagosurve nga aksidenti. Ndërsa ambasadori Januçi, shprehu gatishmërinë e tij për tiu gjendur pranë njerëzve në nevojë, si akt human midis dy vendeve dhe popujve tanë fqinjë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›