E Hënë, 2 Nëntor 2026

Vendimi. Para martesës, çiftet të bëjnë kontroll mjekësor

25/02/2005  Deputetët kanë miratuar në parim draftin e deputetëve për parandalimin e talasemisë

Kuvendi i Shqipërisë ka pranuar në parim projektligjin për paralajmërimin e personave që mbartin sëmundje ngjitëse të rrezikshme, para martesës. Gjatë diskutimeve në Kuvend, është kërkuar ndryshimi i disa neneve të projektligjit të paraqitur nga një grup deputetësh. Kjo për vetë faktin se drafti kërkohet që mjeku të japë konkluzionet e tij dhe për sëmundjet si skizofrenia, apo debiliteti. Për këto pika, deputetët kanë rënë dakord që të hiqen nga pikat për raportin mjekësor paramartesor, ndërsa është këmbëngulur në sëmundjen e rrezikshme të gjakut, siç është talasemia.

Kërkesa

Deputetët Gjergji Koja, Ferit Hoti, Spartak Braho etj., në iniciativën e tyre kanë marrë dhe mbështetjen e shoqatës së talasemikëve në Shqipëri. Në draft parashikohet një sensibilizim i çifteve, që kërkojnë të martohen në rast se rezultojnë me sëmundjen e gjakut, talaseminë. Sipas mjekëve, të lindurit me këtë sëmundje duhet të bëjnë gjatë të gjithë jetës së tyre transfuzion gjaku, që sjell vështirësi financiare të përhershme dhe shpesh rrezik të jetës, pasi spitalet hasin vështirësi në furnizimin me gjak. Gjatë diskutimit, në parlament të projektligjit Ferit Hoti ka theksuar se projektligji nuk kërkon ndalimin e martesave të personave të sëmurë, por vetëm evidentimin e çifteve që kanë genin që sjell trashëgiminë e sëmundjes së gjakut. Sipas tij në këto raste çiftet ndërgjegjësohen për rrezikun që ka lindja e një fëmije, ndaj dhe e kanë më të lehtë për të vendosur.

Vendimi

Në seancë është vendosur që drafti të kthehet për rishqyrtim në komisionet përkatëse. Megjithatë deputetët janë shprehur pramisht dakord me të. Burimet thanë se projektligji do të kalojë për t'u miratuar në seancën e së hënës ose të enjten. Burimet nga të dy partitë parlamentare kanë bërë të ditur se propozimi për paraqitjen e një raporti mjekësor para martesës, do të miratohet. Kjo ka siguruar iniciatorët për arritjen e 84 votave të kërkuara për miratimin e ndryshimeve. Sipas rregullores së Kuvendit, ky projektligj, duke qenë se kërkon ndryshimin në Kodin e Familjes, kërkon votën e 3 të pestave të deputetëve. Ndaj dhe iniciatorët kanë kërkuar konsensusin e të gjitha palëve. Këtë kërkesë e kanë paraqitur dhe anëtarët e shoqatës së talasemikëve. Iniciatorët kanë theksuar se një ligj i tillë ekziston dhe në Greqi, Itali dhe në vende të tjera, ku sëmundja e talasemisë është e përhapur.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›