PD: Të afrohet data e zgjedhjeve
25/02/2005 Partia Demokratike nuk do të heqë dorë nga kërkesa për afrimin e datës së zgjedhjeve, pavarësisht vonesave në ndarjen zgjedhore dhe hartimin e listave. Nënkryetari i PD-së, Bamir Topi, tha dje se kërkesa e bërë nga opozita nuk është në favor të atyre personave që kërkojnë të marrin mandate politike nga këto zgjedhje, por në favor të zgjedhësve, me qëllim që këta të fundit të votojnë në kushte normale. "Ne, natyrisht, nuk e kemi pasur një shpërthim të çastit, kur kemi kërkuar që data e zgjedhjeve të afrohet. Kur demonstron një propozim politik duhet të jesh i aftë ta argumentosh, dhe unë besoj se janë dhënë më shumë se 5 a 6 argumente që data e zgjedhjeve duhet të afrohet. Nuk është në komoditetin e atij që kërkon të zgjidhet, por një popull që kërkon të votojë duhet ta kryejë këtë proces në kushte normale", tha Topi. Zhvillimi i datës së zgjedhjeve në muajin korrik është ktyher në temë debati mes forcave politike në vend. Opozita është shprehur se zhvillimi i tyre në muajin korrik do të cënonte integritetin e zgjedhjeve, për shkak të pushimeve. Por, propozimet për afrimin e datës së zgjedhjeve kanë hasur kundërshtimin e socialistëve, që kanë preferuar datën e parashikuar në Kushtetutë.