E Shtunë, 31 Tetor 2026

Spiunllëku, si alternativë elektorale



Për cilindo njeri që ka ende cipë në faqe, shfaqja e skenës së dhënë nga “Fiks Fare” për ministrin, duke flirtuar me një vajzë të re, të bukur e “të papunësuar”, ky lloji abuzimi i pushtetarit, për njerëzit, ishte tronditës. Pa dyshim edhe Kryeministri i vendit u trondit shumë kur mori atë vendim të prerë e të shpejtë, i cili e përjashtonte ministrin nga kabineti i tij qeveritar. Bëri mirë apo jo në këtë mënyrë, kjo është temë më vete. Por, nga çka u mësua më vonë, si nga ministri i shkarkuar dhe nga personat që organizuan “skenën idilike”, mua, personalisht, më ngjalli krupë. Jo ngaqë e “nxorën ministrin e kabinetit qeveritar bythëzbuluar”, por nga mënyra se si u organizua “komploti’”, më kujtoi taktikat e dikurshme të Sigurimit të Shtetit. As më shumë e as më pak, siç ndodhte atëherë, në diktaturë, kur donin të arrestonin apo të diskreditonin dikë dhe çonin tek ai ndonjë provokator ose provokatore. Ky ose ajo do të hiqej si, i/e përvëluar për t’u arratisur nga atdheu ose i/e përvëluar për të sharë pushtetin popullor. Mirëpo, atëherë të paktën, ruhej njëfarësoj sekreti i veprimit të poshtër, ndërsa në të ashtuquajturën demokraci, sot, çunat apo nipërit e ish-sigurimsave të atëhershëm, këtë “sekret” e nxjerrin “bythëzbuluar”. Ose është naiviteti i tyre, ose është një ligësi e tejskajshme, për të krijuar me çdo kusht skena abuzimi nga pushtetarët e sotshëm, qoftë edhe në mënyrat më të poshtra të mundshme, vetëm që këta, pasardhësit e mynxyrëmëdhenjve të diktaturës, të vijnë përsëri e me patjetër në pushtet. Mirëpo, Bibla e përjetshme e thotë qartë: “Kush kërkon t’i bëj gropën tjetrit, bie vetë brenda”. Kuptohet, ata që e ndërtuan këtë “hata” me ligësi e poshtërsi, fundi i tyre, sot a nesër, pa dyshim është i qartë. Ndëshkimi. Nuk se është keqardhje për ministrin në këtë rast, por veprimi i paramenduar për ta diskretituar atë dhe qeverinë e mazhorancës, është i poshtër dhe i turpshëm. Pikërisht, sepse u veprua qëllimisht e me ligësi. Arsyetimi është i thjeshtë. Nëse vërtet ky ministër i kishte shqetësuar aq shumë “komplotistët e ndershëm”, si një person që abuzonte me pushtetin, s’ka rëndësi në ç’mënyrë, flirtonte me vajza të reja apo vidhte paratë e shtetit, veprimi i drejtë e i ndershëm do të ishte që ai të kapej apo të filmohej në flagrancë dhe në një rast konkret, jo të sajuar (të provokuar). Bibla e Kurani thonë se njeriu është bërë prej mishi e gjaku. “Kush me hiri, kush me pahiri, shtatë herë në ditë mëkaton ma i miri”, - thonë librat e shenjtë. Kjo është ligësia që më ngjall krupë nga e gjithë palavia e sajuar për ministrin, sepse u ngatërrua qëllimisht shteti ligjor me shtetin e së drejtës. Nëse ky “material” i hulumtuar nga gazetarët nuk do të ishte shfaqur me aq cinizëm në një emision televiziv, por do të shkonte një kopje e këtij materiali në Prokurori dhe njëkohësisht në Kryeministri, me siguri që do të ishte gjysma e së keqes. Por dëshira për të mposhtur kundërshtarin me fatkeqësitë njerëzore dhe veset e pushtetarëve është mungesa më e madhe e moralit politik dhe e mungesës së alternativave politike para fushatës zgjedhore...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›