E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kosh plehrash



Sërish dje opozita shqiptare shfaqi në mënyrë publike pamundësinë e saj për t’u larguar nga e kaluara jo shumë e largët, e cila është e përzierë me krime dhe persekucion ndaj shqiptarëve. Aktin e djeshëm si gjithmonë e drejtonte “klouni” politik i PS, Pandeli Majko. Si gjithmonë me deliret e tij të pashtershme dhe budallallëqet pa fund që nxjerr nga goja, dje ky person ofendoi publikisht me dhjetëra familje patriotësh shqiptarë dhe për më shumë u bë pengesa kryesore për dëmshpërblimin e ish-të përndjekurve dhe persekutuarve nga sistemi diktatorial.

Komisioni i Ligjeve diskutonte amendamentin për dëmshpërblim për familjet e persekutuara dhe gjithashtu edhe për familjet e personave të vrarë pa gjyq para vitit 1944.

Por mendjelliu Majko, që nga deliri dhe naiviteti i tij ka çuditur dynjanë me broçkullat që nxjerr nga goja, bën një deklaratë, duke çuar dhe zërin e duke qëndruar edhe fort kundër amendamentit të qeverisë.

Majko deklaroi se nuk duhet të përfitojnë nga vuajtjet e të përndjekurve, tradhtarët dhe kolaboracionistët që bashkëpunuan me okupatorin, ata që u pushkatuan pa gjyq para 1944 janë në koshin e plehrave, janë plehrat e historisë. Këto ishin fjalët e ish-Kryeministrit tonë, i cili mesa duket ende nuk është pjekur politikisht dhe mendërisht, megjithëse ka kaluar çdo fazë të brezave të jetës, pra përfundimisht “ky njeri nuk ka për t’u bërë kurrë” thotë populli.

Se sa luftë është bërë në Shqipëri dhe kush janë tradhtarët e vërtetë të këtij vendi, po e tregojnë historianët perëndimorë, por edhe arkivat e shtetit shqiptar. Tradhti më të madhe se të mbaje peng një shtet për 45 vjet me masakra, vrasje, krime e persekucione, nuk ka, gjithsesi për Majkon këta nuk janë tradhtarë, por veteranë e shërbëtorë të diktaturës që ende vazhdojnë marrin pensione të majme.

Por duke mos e marrë shumë seriozisht një njeri si Majko, që është përdorur e keqpërdorur nga shokët e tij të partisë e deri tek shoferët, budallallëqeve të Majkos duhet t’u sjellim argumente, jo për të mbrojtur amendamentin e qeverisë, por për të kërkuar të falur ndaj atyre nacionalistëve dhe figurave të mëdha intelektuale, që Enver Hoxha dhe baballarët shpirtërore të Majkos vranë me thikë prapa shpine.

Deputeti socialist i Maliqit të Korçës, që nuk shkon dot në zonën e tij elektorale, pasi e marrin me gurë, fatkeqësisht ka qenë dhe Kryeministër, megjithëse historinë duket se e njeh sa një ish-operativ vullnetar sigurimi, dalë nga klasa punëtore me 8 klasë, që nuk besonte Bibël e Kuran, por shkatërronte kisha e xhamia dhe Zoti për të ishin veprat e diktatorit. Kaq i paditur është ky i mjerë, sa nga goja e tij nxjerr helm për intelektualë e nacionalistë, të cilët punuan me dekada për Shqipërinë, por një ditë u vranë pa gjyq me urdhër të babait shpirtëror të Majkos, me copa letrash ku thuhej Enver.

Hapini arkivat, shikoni historinë dhe mos bëni mendjelliun shoku Pandeli, kur nuk e njihni historinë.

Një rast mjaft domethënës është ai i intelektualit dhe poliglotit Llazar (Zai) Fundo, për të hedhur poshtë kakofoninë boshe të një njeriu tashmë pa asnjë vlerë në politikën shqiptare si Majko. Llazar (Zai) Fundo është kapur dhe pushkatuar pa gjyq nga brigada V sulmuese në shtator 1944, në Kolesian të Kukësit. Fundo, sipas arkivave, është kapur me një misionar anglez dhe një nga vëllezërit e familjes të madhe nacionaliste Kryeziu.

Sipas letrës së Enver Hoxhës: “Zain, pyeteni se ku ka qenë, cili ka qenë aktiviteti i tij, pyetjet i sillni këndej, atë vriteni andej”. Kjo letër është botuar në disa gazeta të përditshme dhe është dhënë edhe në disa media televizive. Në rast se Majko nuk e beson, i japim fotokopje origjinale që të ketë firmën e babait shpirtëror nën jastëk. Llazar (Zai) Fundo është biri i një familjeje të madhe tregtare në Korçë, një student i shkëlqyer i Sorbonës, një i ri komunist dhe anëtar i kominternit,-------- por që diku nga vitet 1935 shkroi "komunizma që në dëshmi për nga ligësitë ia kalon dhe djallit”, edhe këtë ja japim Majkos. Një poliglot me 9 gjuhë të huaja, intelektual me vlera përtej kufijve të Shqipërisë, Sandro Pertini, ish-Presidenti i Italisë ka thënë për Llazar (Zai) Fundon, “një njeri i madh që i përket Evropës, jo vetëm Shqipërisë”. A e dini ju se Fundo është një nga 42 firmëtarët e parë të idesë BE, në Ventotene, projekt i hedhur ne letër si platforme e një Evrope të bashkuar nga intelektuali italian, Alterio Spineli? Për më tepër mjafton të kërkojë me emrat e sipërpërmendur në internet dhe këto të dhëna i gjen në të gjitha arkivat online të Evropës, por fatkeqësisht nuk ke se çfarë të presësh nga një deputet që ka frikë të shkojë në zonën e tij elektorale, pasi mund ta gjuajnë me panxhar.

Për ta mbyllur, janë edhe disa fakte të shkurtra, me pushtimin e Shqipërisë më 7 prill 1939: Llazar (Zai) Fundo mbajti fjalim përpara Bashkisë së Korçës, ku kërkonte armë për të luftuar fashizmin, këtë Majko e ka edhe në veprat e babait të tij shpirtëror, më pas ky i fundit livadhiste në Shqipëri e vriste shokët pas shpine, ndërsa Fundo u internua nga fashistët në Ventotene. Sapo u lirua nga internimi me rënien e fashizmit, Fundo vjen në Shqipëri me vëllezërit Kryeziu, për të luftuar për lirinë e mëmëdheut tij, deklaratë e Zait në kujtimet e ish-Presidentit Pertini, i cili i kishte kërkuar të qëndronte në Itali.

“Vallë çfarë i ngelet Shqipërisë, po humbi njerëz si Zai Fundo”? - Fan S. Noli 1945.

Pra, llogjet e Majkos dhe shokëve të tij socialistë bien poshtë me fakte dhe jo me broçkulla siç ka qejf Pandeliu. Pra koshi i plehrave janë ata që Majko mban për heronj e baballarë shpirtërorë dhe jo njerëz si Llazar (Zai) Fundo, e qindra intelektualë të tjerë të vrarë pa gjyqe para “çlirimit”, që solli 45 vite shkatërrim e persekutim.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›