Majlinda Bregu rikonfirmoi ofertat për PS-në
Shumica theksoi dje qëndrimin e saj se ajo është e gatshme për hetimin e zgjedhjeve parlamentare të 28 qershorit, por nuk mundet në asnjë mënyrë të hetojë te çështjet mbi të cilat kanë dhënë qëndrim gjykatat. Ky qëndrim u artikulua dje nëpërmjet zëdhënëses së qeverisë, Majlinda Bregu, në një komunikim për mediat, e cila përshëndeti edhe qëndrimin e zëvendëssekretarit amerikan të Shtetit, James Stainberg, sipas të cilit qeveria e dalë nga zgjedhjet është legjitime. Bregu në fjalën e saj theksoi se një nga pikat ku mazhoranca legjitime kishte ofruar bashkëpunim ishte ajo e ngritjes së një komisioni hetimor parlamentar, në të cilin shumicën dhe kryetarin do e kishte opozita. “Mazhoranca i ka ofruar opozitës për zgjidhjen e qëndrimit të saj ndaj Parlamentit jo vetëm pjesëmarrje në Komisionin Hetimor Parlamentar, por edhe shumicën me votë në këtë komision, si dhe kryesimin e tij për të mundësuar hetimin e çdo çështje që lidhet me zgjedhjet, përveç çështjeve për të cilat ka vendim gjykate”, deklaroi Bregu. Sipas saj, opozita është e lirë të përdorë rrugët gjyqësore për të ankimuar aty vendimet e gjykatave. Nga ana tjetër, Bregu rikonfirmoi edhe qëndrimin e mazhorancës për t’i krijuar opozitës të gjitha kushtet që të paraqesë në prokurori për hetim të mëtejshëm e të plotë çdo akt apo dokument që ajo disponon mbi pretendimet e saj. Nga ana tjetër, Bregu konsideroi si ofertë të tretë të mazhorancës për opozitën edhe të drejtën për të bërë amendime në Kodin Zgjedhor, sipas rekomandimeve të ndërkombëtarëve. Por sipas Bregut, këto amendime do të bëhen pas konsultave që PS-ja mund të ketë me Komisionin e Venecias. “Rikonfirmojmë se i kemi njohur opozitës të drejtën ekskluzive për të përkthyer në amendamente të gjitha rekomandimet e OSBE-ODIHR-it mbi zgjedhjet e ardhshme, pasi opozita të jetë konsultuar edhe me Komisionin e Venecias. Garantojmë se këto amendamente, të hartuara nga opozita, do të votohen plotësisht në Parlament”, deklaroi Bregu në fjalën e saj për mediat. Nisur nga këto oferta të paraqitura, zëdhënësja e qeverisë i bëri thirrje opozitës që t’i vlerësojë ato.
#