E Diel, 1 Nëntor 2026

Topalli: Opozita po bën luftë kundër Kushtetutës

“Detyra e opozitës nuk është të propozojë asgjë dhe të kundërshtojë çdo gjë”

“Persona politikë bëjnë luftë të paprinciptë për t’iu kundërvënë kushtetutshmërisë për interesa egoiste personale”. Kështu e ka komentuar Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, rolin e opozitës në Shqipëri në konferencën e kryetarëve të parlamenteve anëtare të Këshillit të Europës që zhvillohet në Qipro. Duke e cilësuar absurd qëndrimin e opozitës, Topalli u shpreh se “ajo e pranoi rezultatin, por e bojkotoi gjatë Parlamentit”. Sipas saj, roli i opozitës është i shenjtë. “Ky rol duhet të jetë objektiv, konstruktiv dhe për çështje kombëtare bashkues. Detyra e opozitës nuk është të propozojë asgjë dhe të kundërshtojë çdo gjë. E aq më pak të përdorë mekanizma pengues, bllokues”, tha ajo.

Kryetarja e Kuvendit e vuri theksin te fakti që opozita duhet të guxojë dhe të sfidojë interesa të ngushtë partiakë, dhe sipas saj, jo të kthehet në funksion të interesave individuale të një personi. “Sjellja dhe roli i opozitës përbën një element thelbësor për matjen e cilësisë së demokracisë. Nëse ajo merr rolin e prishësit, ajo dëmton drejtpërdrejt vendin në zhvillim”, theksoi Topalli. “Kur partitë e opozitës, përdorin mjete ekstra parlamentare, forma të ashpra e të gjata bojkoti, apo mjete të tjera që nuk i takojnë një force politike, kjo formë e të bërit opozitë është mohimi i dialogut, i konsensusit dhe mohim i vetë qenies opozitë parlamentare”, tha ajo.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›