E Diel, 1 Nëntor 2026

Majori shqiptar në Gjeorgji: Rusët na sulmuan me raketa,falë Zotit jemi gjallë

“Lajmi për armëpushim do t’i gëzonte gjeorgjianet e terrorizuar nga flaket e luftës vetëm për pak kohë. 

Afrim Imaj

Rifillimi i sulmeve të ushtrisë ruse, që mesa duket e kanë shumë të vështirë të tërhiqen, do ta rikthente çdo gjë nga e para”.Ky është raportimi nga fronti i luftës i një prej ushtarakëve shqiptarë, pjesë e misionit të OKB në Gjeorgji. Majori, Ahmet Hoxha, ka treguar në një bisedë telefonike me “Panorama”, çfarë po ndodh në luftën e ashpër me Rusinë. Ushtaraku shqiptar, është pjesë e misionit në qytetin e Zukditit, fronti i dytë më i madh i luftës. Ushtaraku me origjinë nga Krahësi i Tepelenës tregon se, bashkë me dy majorët e tjerë të integruar në shtabin e OKB-së në zonën e konfliktit janë mirë me shëndet dhe aktualisht ndodhen jo shumë pranë terrenit të luftimeve. Major Hoxha më i qetë që mbrëmë ka mundur të qetësojë nëpërmjet telefonit familjarët e tij në Tiranë, të cilët ishin të shqetësuar nga lajmet e luftimeve në Gjeorgji. Më tej, në rrëfimin e ushtarakut që shërben në zonën e luftimeve bëhet e ditur situata më e fundit e konfliktit ruso-gjeorgjian.
Zoti Hoxha cili është misioni juaj ne Gjeorgji?
Ne bëjmë pjesë në misionin paqeruajtës që drejtohet nga OKB. Mandati ynë lidhet me parandalimin e konfliktit abkhazo-gjeorgjian.
Sa ushtarakë shqiptarë ndodhen aktualisht në Gjeorgji?
Jemi tre ushtarakë që kemi ardhur nga Shqipëria me misionin e paqeruajtësit nën flamurin e OKB-së. Unë me majorin Halil Myrtezai aktualisht ndodhemi në Gjeorgji. Major Ndriçim Çollaku shërben në zonën e Abkhazisë.
Si e përjetuat fillimin e sulmeve ruse mbi territorin gjeorgjian?
Luftimet siç dihet nisën në fillimin e gushtit. Ato ishin të ndara në dy fronte. Fronti i parë që nisi më datë 7 gusht i përket zonës së Osetisë Jugore. Fronti i dytë ishte ai që nisi një ditë më vonë në zonën veriore, ku aktualisht jemi duke kryer shërbimin.
Ky ndodheshin në momentin që nisën sulmet ruse?
Efektivët ku bëjmë pjesë ne janë vendosur në periferi të qytetit Zukditi. Kemi gjashtë muaj që vazhdojmë të shërbejmë në këtë zonë të inkuadruar në misionin paqeruajtës të OKB-së. Deri në momentin e sulmeve nuk jemi ballafaquar me situata kërcënuese.
Ishit lajmëruar për fillimin sulmeve?
Ne ndodhemi këtu për konfliktin abkhazo-gjeorgjan. Fillimi i sulmeve nga Rusia ishte krejt i papritur.
Si e përjetuat fillimin e sulmeve?
Ishte ora 02:40 e natës. Në qetësinë e errësirës u dëgjua zhurma e avionëve rusë që nisën të bombardonin. Pastaj filluan goditjet me raketa dhe artileri. Një stuhi e tmerrshme me breshëri nga të gjitha anët e ngriti të gjithë qytetin në panik. Reagimi i parë i yni kishte të bënte me vetësigurinë. Gjithsesi, mëngjesi i 9 gushtit e gjeti qytetin dhe rrethinat në teatrin e një lufte.
A pati sulme afër jush?
Me dhjetëra raketa goditën shumë pranë vendvendosjes tonë. Ishte mrekulli që Zoti na fali jetën nga rreziku që na kërcënohej. Sulmet ruse shkatërruan të gjitha repartet dhe bazat ushtarake të qytetit. Të gjitha objektet strategjike dhe vendosjet e logjistikës u shkatërruan. Ndërkaq, qyteti në pjesën më të madhe të tij u bë një gërmadhë.
Po reagimi qytetar cili ishte?
Pala ruse njëherazi me sulmet bëri një presion psikologjik të jashtëzakonshëm që terrorizoi gjithë qytetin. Banorët e tij në panik e sipër morën çfarë mundën me vete dhe u shpërngulën masivisht për të shpëtuar kokën. Vetëm në pak çaste qyteti u boshatis i tëri. Të vetmit që mbetën ishim ne paqeruajtësit e OKB-së.
Si vazhduan sulmet më tej?
Në fillim aviacioni bombardoi gjithë zonën. Pastaj artileria goditi për orë të tëra pa ndërprerë mbi qytet. Sa rreshtte sulmi i tyre në qytet futeshin autoblindat.
Po tani a vazhdojnë sulmet dhe a respektohet armëpushimi?
E vërteta është se opinioni këtu është njohur me armëpushimin, por sulmet dhe goditjet nga pala ruse vazhdojnë në mënyra të ndryshme. Manovrat nga ajri dhe goditjet e herëpashershme në distancë ndaj objekteve dhe instalimeve ushtarake në qytet vazhdojnë pa ndërprerje. Qyteti vazhdon të mbetet i boshatisur. Dhe askush nuk ndihet i sigurt për jetën.
Si ndiheni me shëndet?
Jemi shumë mirë me shëndet. Me mënyrën që kemi organizuar vetëmbrojtjen, duke shtuar masat e sigurisë për momentin nuk ndiejmë rreziqe të mundshme. \

Paqeruajtësit
Ka qenë viti 1994 kur ushtarakët shqiptarë kanë nisur të marrin pjesë në misionin paqeruajtës të OKB-së në zonën e Gjeorgjisë. Që nga ajo kohë në këtë mision kanë shërbyer më tepër se 30 ushtarakë shqiptarë. Aktualisht në këtë mision ndodhen tre shqiptarë.

Konflikti
Misioni i OKB-së për paqeruajtje në Gjeorgji ka të bëjë me konfliktin e hershëm midis ish-republikës sovjetike të Gjeorgjisë dhe rajonit separatist Abkhazisë. Ndërsa përfshirja e paqeruajtësve në konfliktin më të fundit ruso-gjeorgjian konsiderohet të jetë i papritur.

Rajs në Francë e Tbilisi: SHBA mbështet territorin gjeorgjian

Sekretarja amerikane e Shtetit, Kondoliza Rajs ka nisur turneun mbi respektimin e marrëveshjes së armëpushimit në Gjeorgji dhe aspiratat e SHBA për mbështetjen e këtij vendi, një turne që nisi me Francën.

 Dje Rajs mbërriti në jug të Francës për bisedime me Presidentin francez Nikolas Sarkozi, i cili ishte ndërmjetësi i armëpushimit të arritur në konfliktin në Gjeorgji, në emër të Bashkimit Evropian. Pas përfundimit të takimit konsultues me Presidentin francez, Rajs do të niset drejt Gjeorgjisë për të dëshmuar mbështetjen amerikane ndaj qeverisë në Tbilisi të zgjedhur në rrugë demokratike. SHBA e ka mirëpritur vendimin e Rusisë për të nënshkruar planin e paqes, por ka shprehur shqetësim për vazhdimin e qëndrimit të trupave ruse në territorin gjeorgjian. Pak para nisjes për në Francë, sekretarja amerikane tha se Rusia do të përballet me izolim më të thellë nëse thyen armëpushimin. “Nëse Rusia e shkel armëpushimin, dhe më duhet të them se informacionet nuk janë shumë inkurajuese rreth respektimit të armëpushimit nga Moska, kjo do të shërbejë për një izolim më të thellë të Rusisë. Kjo vetëm do të thellojë ndjesinë e fuqishme se, Rusia nuk po sillet si partner ndërkombëtar që ka thënë se do të jetë”, tha Rajs, ndërkohë që gjatë ditës dy avionë amerikanë me ndihma humanitare mbërritën në Tbilisi. Deklarata e Rajs ka marrë përgjigjen e menjëhershme të ministrit të Jashtëm rus, Sergei Lavrov, i cili tha Shtetet e Bashkuara duhet të zgjedhin mes “partneritetit real” me Rusinë dhe mbështetjes për “projektin virtual për Gjeorgjinë”. Ndërkohë që Presidenti amerikan Xhorxh Bush bëri thirrje për respektimin e integritetit territorial të Gjeorgjisë, Presidenti i Rusisë, Dimitri Medvedev tha se Rusia do të përkrahë qëndrimet e rajoneve separatiste të Gjeorgjisë rreth statusit të tyre të ardhshëm. Medvedev u takua në Kremlin me liderët separatistë të Osetisë Jugore dhe të Abkhazisë. Sipas agjencive ruse të lajmeve, Medvedev tha se “Rusia jo vetëm që do të mbështesë çfarëdo vendimi që këto rajone marrin rreth statusit të ardhshëm, por edhe do t’i garantojë të dyja në Kaukaz dhe në botë”. Ndërkohë trupat ruse kanë nisur tërheqjen nga Gori, proces i cili do të zgjasë deri të shtunën.

Këshilli i Sigurimit: Së shpejti rezolutë për Kaukazin

Vendet e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara shumë shpejt do të përpilojnë një rezolutë, e cila do të funksionojë si bazë për rajonin e trazuar të Kaukazit. Projektrezoluta do të ketë si bazë planin e Francës, që ndërmjetësoi në arritjen e armëpushimit. Ky plan është pranuar si nga Franca, ashtu edhe nga Gjeorgjia. Ambasadori belg në OKB, Jan Grauls, vendi i të cilit mban presidencën njëmujore të radhës në Këshill, tha se Franca po zhvillon bisedime bilaterale me vendet e tjera anëtare rreth projektrezolutës. Ai tha se teksti duhet të përmbajë dispozitat e planit të paqes të propozuar në emër të BE-së nga Presidenti francez Nicolas Sarkozi. Ndërkohë, NATO ka ndaluar një anije ruse për t’iu bashkuar patrullës shumëkombëshe ndërkombëtare kundër terrorizmit në Mesdhe. Administrata amerikane ka bllokuar deri tani kërkesën ruse për takim emergjent të Këshillit NATO–Rusi, ku do të diskutohej rreth krizës në Kaukaz.

Osetia e Jugut e Abkhazia kërkojnë pavarësinë

Liderët e rajoneve të Abkhazisë dhe Osetisë së Jugut kanë deklaruar kërkesën e tyre për pavarësi nga Gjeorgjia. “Dëshiroj të theksoj se pavarësisht sulmit kundër popullit tonë, vullneti dhe synimi i popullit të Osetisë së Jugut për pavarësi nuk ka ndryshuar. Ne do kërkojmë pavarësi në përputhje të plotë me ligjin ndërkombëtar”, tha Eduard Kokoiti, lideri separatist i Osetisë së Jugut. Kokoiti shtoi se dy referendumet e mbajtura nga Osetia e Jugut, e tregojnë qartë vullnetin e popullit. Ndërsa lideri i Abkhazisë, Sergei Bagapsh, rajoni tjetër separatist i Gjeorgjisë tha se: “Sa i përket pavarësisë sonë dhe lëvizjes drejt këtij qëllimi nuk ka forcë që na ndal. E kemi përcaktuar qëllimin tonë dhe do të shkojmë drejt tij. Sa i përket rrugëve të realizimit do t’i gjejmë. Deri para agresionit ndaj Osetisë së Jugut ka pasur shumë pak mundësi për bisedime me Gjeorgjinë, tani është e sigurt se nuk do të ketë dialog me Gjeorgjinë”, tha Bagapsh.

Bashkëjetesa me Gjeorgjinë, e vështirë  

Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov tha dje se rajonet separatiste si Osetia e Jugut dhe Abkhazia nuk ka mundësi të duan që të jenë përsëri pjesë e Gjeorgjisë. Deklarata e Lavrov ishte një kundërpërgjigje ndaj thirrjeve të presidentit amerikan Xhorxh Bush që Rusia të respektojë integritetin territorial të Gjeorgjisë, përfshirë edhe rajonet e saj me aspirata separatiste. Por megjithatë Lavrov tha se Rusia nuk dëshiron që Gjeorgjia të ndahet. “Ne nuk duam që Gjeorgjia të ndahet, mund t’ju siguroj për këtë. Megjithatë situata ‘de facto’ që është krijuar është e tillë që as osetianët e jugut as abkhazët nuk duan të jetojnë bashkë në një shtet me një person që dërgon trupa kundër tyre”, komentoi Lavrov. Ministri i Jashtëm rus shtoi se Rusia është dakord, që në të dyja rajonet separatiste të Gjeorgjisë të vendosen më shumë vëzhgues perëndimorë, por kjo duhet të bëhet edhe me vullnetin e qeverive të dy rajoneve përkatëse.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›