Skënder Shehu: Fejesa me Silva Turdiun u bë me porosi të Mehmetit
AFRIM IMAJ
Ishte pikërisht ajo, krushqia, që kryqëzoi kryeministrin Mehmet Shehu.E tillë u fiksua në memorien e kohës fejesa e Skënderit, djalit të dytë të kreut të qeverisë komuniste me një nga volejbollistet me të njohura të Tiranës në fillimin e viteve ‘80. Fiqirete Shehu, e veja e kryeministrit të vetëvrarë, ishte e para që nxori në sipërfaqe misteret e kësaj lidhje në procesin gjyqësor të gushtit ‘83. Për të, dashuria midis dy të rinjve, ishte një alibi nëpërmjet së cilës agjenturat e huaja synonin tjetërsimin e sistemit politik në Shqipëri. Në të njëjtën linjë vijoi rrëfimin e vet edhe Skënder Shehu, protagonisti i ngjarjes së bujshme me profil rozë. Sipas tij, fejesën me një vajzë me biografi jo të mirë, ia ka kërkuar i ati, Mehmeti, i cili i ka shpjeguar edhe rekomandimet e padronëve matanë Atlantikut për të. “Babai im, dëshmoi në gjyq Skënder Shehu, më tha se amerikanët donin të ndikonte për zbutjen e luftës së klasave dhe i ofruan variantin e krushqive me familje me rrethana jo të mira politike. Ai më tha se, kishte ngarkuar ministrin e Brendshëm të më gjente një vajzë me përbërje të keqe biografike dhe Feçorr Shehu më rekomandoi Silva Turdiun”. Më tej e veja dhe djali i penalizuar i ish-kryeministrit, dëshmojnë të tjera detaje në zbërthim të aktakuzës si pjesëtarë të një organizate terroriste, që do të përmbyste pushtetin popullor dhe diktaturën e proletariatit në Shqipëri…
vendimi i gjykates per fiqirete shehun
Në vitin 1968, Partia dhe shteti ynë dënuan pushtimin ushtarak të Çekosllovakisë dhe denoncuan Traktatin e Varshavës, si një instrument në duart e BS kundër lirisë dhe pavarësisë së popujve. Në këtë situatë, Mehmet Shehu këmbente mesazhe me amerikanët. Në vitin ‘70 dhe ‘73, kur i pandehuri Nesti Nase ka shkuar në OKB, Mehmet Shehu i ka dhënë mesazhe për miqtë e tij amerikanë, të cilët i pandehuri ua ka dorëzuar përfaqësuesve të agjenturës amerikane Jakobson e Aderson dhe ka marrë prej tyre mesazhe të tjera. Ai nëpërmjet mesazheve kërkonte udhëzime e përkrahje. “Adersonit i dhashë letër, kurse ky, pa e lexuar atë, më dha një pliko për atë. Unë kuptova se ata merreshin vesh edhe në mënyra të tjera”. E vërteta është se në vitin 1972, Mehmet Shehu shkon për vizitë mjekësore në Paris me Fiqireten, Llambi Ziçishtin, Llambi Premçin e Gani Kodrën. Në ambientet e spitalit ai takoi agjentët amerikanë dhe mori prej tyre një radio të vogël, që e sollën në Shqipëri dhe lidhej herë pas here me agjenturat e huaja. Pasi u zbuluan grupet armiqësore dhe u goditën, Mehmet Shehu dhe pjesëtarët e tjerë përdorën taktikën e tyre të preferuar, mbuluan gjurmët, goditën të demaskuarit dhe në fshehtësi rigrupuan forca për të vazhduar veprimtarinë armiqësore. Duke e pasur mirë me të dyja superfuqitë, Mehmet Shehu ka manovruar midis tyre, për t’i qetësuar dhe për të siguruar gjithnjë përkrahjen e tyre. Lidhur sa më lart i pandehuri Nesti Nase, pohoi se ai porosiste që atyre t’u jepte idenë se politika jonë ishte për t’u afruar me ta. Kur ai ishte në OKB në vitin 1977, mori me vete dy letra nga Mehmet Shehu: Njërën për Adersonin dhe tjetrën për ambasadorin sovjetik, me të cilat kërkonte garanci prej tyre. Në vitin 1978 ngarkoi të pandehurin Llambi Ziçishti, që të realizonte në Paris takim me një agjent amerikan, takim që është realizuar vërtet sipas Llambit. Qëllimi i takimit ishte të merrte udhëzimet, se si të vepronte pas goditjes së grupeve në ushtri dhe në ekonomi, sipas Fiqiretes të deponuar.
Për sa më lart, Mehmeti ka aktivizuar edhe djalin. Ky i fundit ka realizuar një sërë takimesh në Suedi, i ka dorëzuar të dhëna sekrete, ka raportuar dhe ka marrë detyra për Mehmet Shehun.
Në vitin 1980 amerikanët donin që të vinte patjetër në Shqipëri, një përfaqësues i tyre. Mehmet Shehu ngarkoi vartësit për të plotësuar këtë kërkesë dhe agjenti erdhi në fakt, si turist. Për0 takimin me këtë agjent i pandehuri Llambi Ziçishti shpjegon:
“… Më thirri Mehmeti dhe më porositi të takohesha me agjentin (të quajtur Pjer) në plazhin e Durrësit. Një mëngjes duke shëtitur jam takuar me këtë person, i cili më tha: Kam diçka për zotin Shehu. Unë menjëherë shkova në vilën ku banonte Mehmeti, u takova me Fiqireten dhe i thashë se ka ardhur zbuluesi i huaj. Ajo më shpuri tek Mehmeti dhe i dhashë plikon. Edhe Mehmeti më dha një zarf, ia dhashë atij në takimin që bëra po atë natë…”
Gjatë vitit 1981, kur gjendja në Kosovë qe bërë e rëndë për revizionistët jugosllavë, të tërheq vëmendjen fejesa e djalit të Mehmetit me një vajzë nga një familje e deklasuar. Qëllimin e vërtetë politiko-ideologjik të kësaj fejese e sqarojnë në mënyrë të plotë të pandehurit Fiqirete dhe Skënder Shehu. Ajo gjatë deponimit tha se, Mehmetin e kishin porositur të forconte pozitat në KQ dhe të spostonte Sekretarin e Parë dhe të merrte në dorë partinë në mënyrë paqësore. Ajo deklaroi se nga takimet që bëra në Suedi me përfaqësues të CIA-s, amerikanët u pajtuan me variantin jugosllav, por, krahas kësaj ata e porositën Mehmetin që të shpallte fejesën e djalit.
Për këtë fejesë Skënder Shehu në hetuesi, ashtu dhe në gjyq pohoi: “… Babai im Mehmeti më ka thënë se, amerikanët i kërkonin zbutjen e luftës së klasave, duke u fejuar me një vajzë me përbërje të keqe. Amerikanët e kërkonin këtë me qëllim që masa të kuptojë se duhet ndjekur një vijë tjetër dhe jo ajo e partisë … Për këtë detyrë ai më ka thënë se kam ngarkuar Feçorr Shehun të më gjente një vajzë me përbërje biografike jo të mirë, kurse nga anët e tjera të ishte shumë e mirë … Feçorri këtë detyrë e kreu duke rekomanduar Silva Turdiun”.
Pra, si agjentë të fshehtë të zbulimeve të huaja, të pandehurit Fiqirete Shehu, Llambi Ziçishti, Nesti Nase e Skënder Shehu, së bashku me bashkëpunëtorë dhe nën drejtimin e Mehmetit kanë organizuar lidhje brenda dhe jashtë vendit. Ata u kanë dorëzuar atyre informata politike, ushtarake, ekonomike dhe të dhëna të tjera me përmbajtje sekret shtetëror. Këto lidhje e kanë zanafillën qysh gjatë luftës dhe deri në kohën pas çlirimit dhe ndërpriten në kohën e zbulimit dhe goditjes përfundimtare.
Nga sa më lart, del se të pandehurit kanë tradhtuar atdheun, Në këtë përfundim është arritur duke u mbështetur në deponimet e tyre, dokumentacionin, materialet që u shqyrtuan në seancat gjyqësore në shpjegimet e dhëna nga të dënuarit Koçi Xoxe, Llazar Papapostoli e Bashkim Shehu, si dhe thëniet e Ymer Berberit, Abdi Baletës, Dhora Lekës, Vajin Grabovës, Galip Sojlit, Irena Papës e Isuf Kecit që dëgjuan si dëshmitarë.
Nga gjykimi i çështjes rezulton plotësisht e provuar se të pandehurit Fiqirete Shehu, Llambi Ziçishti, Nesti Nase, Skënder Shehu janë pjesëtarë aktivë të organizatës kundërrevolucionare të krijuar nga armiku Mehmet Shehu, e cila ka kryer veprime të shumta, duke synuar të godasë PPSH dhe udhëheqësin e saj, si dhe të përmbysë diktaturën e proletariatit e të vendosë në Shqipëri rendin borgjezo-revizionist.
Lidhur me karakteristikat e veçanta të kësaj organizate kundërrevolucionare, gjykata konkludon sa vijon:
Në radhë të parë u provua katërçipërisht se pjesëmarrësit në këtë organizatë janë agjentë të zbulimeve të huaja të hershëm apo të rinj, të vënë në shërbim të huajve direkt ose me ndërmjetësim.
Udhëheqësi kryesor është poliagjenti Mehmet Shehu. Veprimtaria e gjerë kriminale ka karakter të theksuar kompleks, ajo përfshin gërshetimin e veprimtarisë së spiunazhit me atë terrorist, sabotimit e propagandës helmuese. Megjithëse ky poliagjent i dha fund veprimtarisë tradhtare me aktin e vetëvrasjes, ai mbetet figura kryesore e këtij procesi. Mehmet Shehut me këtë proces gjyqësor populli i vë damkën e turpit, kësaj pjelle bastarde, ogurzezë, këtij tradhtari e jude klasike ... Kjo organizatë është diktuar nga zbulimet e huaja, nga ai amerikan, jugosllav e sovjetik..
Në radhë ët fundit, ekzistenca e kësaj organizate përbën një pjesë të rëndësishme të komplotit të madh të kurdisur nga imperializmi e social-imperializmi dhe në përgjithësi nga reaksioni botëror gjatë gjithë këtyre 40 viteve të fundit kundër shtetit dhe popullit shqiptar, e cila fillon me kurthet e Dushan Mugoshës gjatë Luftës Nacionalçlirimtare dhe që u manifestua kohët e fundit me bandën terroriste të Xhevdet Mustafës të dërguar nga titistët.
Qysh në vitin 1942 Mehmet Shehu ka marrë një program tipik social-demokrat, në të cilin ndër të tjera thotë se, qeveria që do të krijohet pas luftës “do t’i lejojë popullit të gëzojë të gjitha liritë demokratike, lirinë e fjalës, lirinë e partive me karakter demokratik, lirinë e grevave etj”. Pasi mëson nga Dushan Mugosha pozicionin armiqësor të Fiqerete Sanxhaktarit, Mehmeti vihet në bashkëpunim, bile martohet me të dhe qysh atëherë, këta dy armiq të egër e dinakë nisin luftën e tyre për përmbysjen e pushtetit popullor …
Pikërisht për të arritur këtë synim armiku Mehmet Shehu ka futur dorën e tij armiqësore kudo: Në fraksionin antiparti të Sadik Premtes në Vlorë, në prapaskenën e Beratit, në luftën për të vazhduar vijën trockiste e tradhtare të Koçi Xoxes pa Koçin, në ndeshjet e para me revizionistët sovjetikë në vitet 1957-1960, në organizimin e puçistëve në ushtri, në sabotimet në ekonomi, në art, në kulturë e gjetkë.
Mehemti e Fiqiretja kanë punuar vazhdimisht në prapaskenë për të shtuar radhët e organizatës me elementë të tjerë kundërrevolucionarë…
Në vitin 1966, Mehmet Shehu i propozoi hapur Nesti Nases për t’u bërë pjesëtar i kësaj organizate tradhtare. Lidhur me këtë moment i pandehuri Nase shpjegon: “Në Pekin Mehmet Shehu më tha, tani që ti Nesti u bëre ministër, ne të dy do të punojmë bashkë deri në fund … Unë e kuptova fare mirë se ky po e vazhdonte veprimtarinë armiqësore kundër partisë dhe donte të më vinte në shërbim të tij, gjë që në fakt e arriti”. Po kështu, ka vepruar edhe e pandehura Fiqirete Shehu me Llambi Ziçishtin qysh në vitet ‘55-‘56. Vetë ky i fundit pohoi: Në vitet ‘69-‘70 kur u bëra ministër i Shëndetësisë, u bëra pjesëtar i organizatës kundërrevolucionare të Mehmet Shehut dhe jam ngarkuar me detyra kriminale terroriste nga e pandehura Fiqirete Shehu”.
Mehmet e Fiqirete Shehu arritën deri atje sa të futin edhe fëmijët e tyre në radhët e organizatës, siç ishte rasti i Skënder Shehut, duke e kthyer familjen në një çerdhe spiunësh e gjarpërinjsh. Të pandehurit Fiqirete Shehu, Llambi Ziçishti, Nesti Nase e Skënder shehu për arritjen e qëllimeve armiqësore kanë qenë të ngarkuar me detyra konkrete dhe kanë punuar aktivisht për zbatimin e këtyre detyrave.
Armikja Fiqirete Shehu ka luajtur një rol aktiv për të ndërlidhur veprimet e organizatës me zbulimet e huaja, ka punuar vetë dhe ka ngarkuar pjesëtarët e organizatës për të goditur e sabotuar vijën e partisë dhe së bashku me armiqtë, që punonin në Ministrinë e Brendshme ka qenë bashkëpunëtorja më e afërt e poliagjentit Mehmet Shehu.
Ja se çfarë pohoi vetë ajo në seancë: “Organizata jonë në fillim ishte e vogël, më vonë me porosi të agjenturave të huaja u shtua me anëtarë të rinj. Detyra ishte të mbanim konspiracion, prandaj përdorej lidhja dyshe. Të gjithë pjesëtarët e organizatës kishin për detyrë t’i raportonin poliagjentit Mehmet Shehu.
Po kështu, të pandehuri Llambi Ziçishti, duke qenë ministër i Shëndetësisë i është ngarkuar si detyrë kryesore përgatitja e kushteve për eliminimin fizik të Udhëheqësit të Partisë e të Popullit dhe sabotimi i vijës së partisë në sektorin ku punonte.
Ish-ministrin e Jashtëm, Nesti Nase, Mehmet Shehu e përdorte për të gjetur rrugë për krijimin e lidhjeve me Perëndimin, sidomos me SHBA, e në mënyrë indirekte edhe me BS. Nesti Nase ka realizuar ndërlidhjen e organizatës me emisarët e zbulimit amerikan e sovjetik.
I pandehuri Skënder Shehu është aktivizuar e ka kryer detyra të rëndësishme në organizatën tradhtare. Ky armik, me porosi së të atit poliagjentit Mehmet Shehu, ka qenë ndërlidhësi i organizatës me zbulimin amerikan dhe ka përgatitur kushtet për takimet agjenturore që ka bërë Fiqirete Shehu me pelegrinazhet e saj jashtë shtetit, ka ndihmuar në veprimet përgatitore për eliminimin fizik të Sekretarit të Parë të KQ etj.
(vijon nesër)
Fiqiretja: Ç’na thanë agjentët amerikanë në Stokholm
“Takimi i parë agjenturor është bërë duke shkuar në drejtim të parkut të madh të Stokholmit më 16 ose 17 maj ‘81, s’më kujtohet me saktësi. Kemi qenë të ndarë në dy grupe, grupi shoqërues përpara, ndërsa Gani Kodra, unë dhe djali im, Skënderi më pas. Midis dy grupeve u krijua një distancë. Aty pranë ndodhej personi i agjenturës amerikane. Unë shpejtova hapat dhe bëra takimin agjenturor. Mora porosinë për të vepruar më aktivisht Mehmeti. Për këtë çështje Gani Kodra ishte në dijeni, se e kish vënë në dijeni Skënderi, sikurse dhe e dëgjoi Skënderin kur më tha ky është personi që duhet të takosh. Edhe në rastin e dytë, kur u bë takimi i dytë agjenturor me të njëjtin person të agjenturës amerikane në Goteborg në hotel “Europa”, Gani Kodra ka qenë i vënë në dijeni nga Skënderi dhe ka bërë roje te ashensori, ndërsa djali im bënte roje në korridor. Gjithçka për të mos rënë në sy. Takimi im agjenturor qe fare i shkurtër, disa minutash. Mesazhi i tij kishte të bënte me përshpejtimin e aktivitetit për eliminimin fizik të Enver Hoxhës. Jo rastësisht Mehmet Shehu kishte zgjedhur pikërisht Gani Kodrën, njërin ndër më besnikët e tij, të cilin e dërgoi me djalin në Suedi, si shoqërues në një kohë kur Skënderin e pati tërhequr në punët e fëlliqura të tij si ndërlidhës me agjenturat e huaja”.
neser do te lexoni
Eliminimi fizik i Enver Hoxhës, objektivi final i të pandehurve Fiqirete Shehu, Llambi Ziçishti, Nesti Nase e Skënder Shehu
E veja e kryeministrit të vetëvrarë: Mehmeti qysh në kohën e luftës ka synuar eliminimin e Enverit.
E vërteta e dështimit të inkursionit të Brigadës së Parë për shpëtimin e Shtabit të Përgjithshëm në operacionin e dimrit të vitit ‘44
Dëshmia e Fiqirete Shehut: Pilulat e helmit me veprim të ngadalshëm,që mora nga njeriu i UDB-së në Paris dhe pse hezituam për ta eliminuar me to Enverin