Makedonija dhe Vardari zhvillojnë derbin e javës

Shkup – Ndeshja më interesante e javës së 19-të në Ligën e parë të Maqedonisë padyshim se zhvillohet në lagjen Gjorce Petrov në Shkup, ku takohen Makedonija dhe Vardari. Në të dyja kampet mbretëron atmosferë optimiste para këtij derbi. Mesfushori Ismail Ismaili shpreson se derbi do t'i takojë ekipit të tij, jo pse luajnë në fushë të vet, porse janë të përgatitur mirë.
"Do të jetë një ndeshje e vështirë, por kujtoj se ne do të shënojmë fitore. Jemi të përgatitur mjaftë mirë, kujtoj që edhe trajneri do të dijë të përdorë variantin më të suksesshëm për të ardhur deri te trepikëshi", është
shprehur Ismaili.
Ai thotë se në ekipin e tyre do të mungojë vetëm mbrojtësi Despotovski, por mos luajtja e tij nuk do të thotë se ata nuk do të shënojnë fitore.
"Ne do të përpiqemi të rrëmbejmë fitoren në ndeshjen me Vardarin. Tri pikët do të jenë të rëndësishme në luftë për kreun e tabelës. Mendoj se do t'ia arrijmë qëllimit. Në formacion do të jemi unë dhe Pollozhani", tha mesfushori i "luanëve", Ismaili.
Ndërkohë edhe në taborin e Vardarit shpresojnë në rezultat të favorshëm në takimin me rivalin Makedonija.
"Do të zhvillojmë një lojë burrërore dhe shpresojmë se pas përfundimit të takimit ne do të gëzohemi. Edhe pse kemi një skuadër të re, mendoj se do të realizojmë qëllimin tonë, natyrisht në këso ndeshje nevojitet edhe fati sportive", është shprehur kapiteni "kuqezi", Ertan Demiri.
Reshat Ibrahimi