Milano, në Tetovë për tre pikë

Kumanovë - Skuadra e Milanos nga Kumanova, është duke përfunduar me fazën përgatitore. Ata ditën e shtunën do të zhvillojnë ndeshjen e parë të stinorit pranveror, ku do të ballafaqohen me Teteksin. Kumanovarët bëjnë të ditur se janë të gatshëm për sfidat që i presin në pranverë, e sidomos takimi kundër tetovarëve. "Në Tetovë shkojmë për tre pikë, sepse mendojmë se jemi ekip më i fortë për momentin se rivali ynë. Ne e respektojmë, skuadrën e Teteksit, por pikët
na interesojnë", thotë ndihmëstrajneri i Milanos, Xhemal Zeqiri.
Ai më tej shton se do të jenë të kompletuar në ndeshjen kundër Teteksit dhe se asnjë lojtarë nuk ankohet në lëndim. Shtabi teknik i kësaj skuadre mendon se me sukses do të startojnë në edicionin pranveror dhe presin rezultate shumë të mira në pranverë.
"Mendoj se kemi bërë gjithcka që lojtarët të arrijnë formën e dëshiruar. Nëse punët rrjedhin sipas planit të paraparë, në pranverë presim suksese në të dyja frontet", vijoi Zeqiri.
Formacioni i Milanos: Kmetovski, Igor Stojanov, Ristov, Hristovski, Ile Stojanov (Georgiveski), Isufi, Berisha, Gligorovski, Konjanovski, Aliu dhe Miserdovski.
Rijad Murati