E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shpallet në kërkim, tentoi të vrasë 37-vjeçarin për pronën



SHIJAK – Pas një konflikti për çështje pronash, 22-vjeçari ka tentuar të vrasë bashkëqytetarin e tij nga Shijaku, por ka dështuar dhe më pas është shpallur person në kërkim nga forcat e Rendit. Burimet zyrtare në Drejtorinë e Policisë së Qarkut të Durrësit bëjnë të ditur se shtetasi Alvaro Jashari, lindur dhe banues në Shijak, ka qëlluar me armë zjarri në drejtim të 37-vjeçarit L. Rr., 37 vjeç, edhe ky banues në Shijak, i cili udhëtonte me automjetin tip "Ford" me targa DR 6958 C. Sipas tyre, ngjarja ka ndodhur mesnatën e së dielës në lagjen "Kodër" të qytetit të vogël. Fatmirësisht nga breshëria e armës janë thyer vetëm xhamat e automjetit, pa plagosur shtetasin L. Rr. “Nga hetimet paraprake rezulton se ngjarja ka ndodhur për motive pronësie”, - thonë burimet policore. Tashmë 22-vjeçari Jashari u shpall në kërkim nga policia për veprat penale të "tentativës së vrasjes me dashje" dhe "mbajtjes pa leje të armëve e municioneve luftarake".

17 Qershor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›