E Diel, 1 Nëntor 2026

Makina bie nga ura, humbin jetën dy persona

DIBËR- Humbja e kontrollit të mjetit dhe shpejtësia e madhe e ka nxjerrë nga rruga makinën me të cilën po udhëtonin katër të rinj. Për dy prej tyre, përplasja ka rezultuar fatale, ndërkohë që dy të tjerë ndodhen në spital në gjendje të rëndë. Aksidenti tragjik është shënuar ditën e djeshme në rrethin e Dibrës. Dy persona humbin jetën, ndërkohë dy të tjerë plagosen rëndë. Ngjarja është regjistruar në orët e paradites, kur mjeti tip benz më targa DI 4984 A, i drejtuar nga 21-vjeçari, Eriglen Gjoni, po lëvizte nga Maqellara, vendlindja e katër shtetasve që ndodheshin në makinë në momentin e aksidentit, drejt qytetit të Peshkopisë. Policia saktësoi se mjeti ka devijuar nga ura e re e fshatit Grezhdan dhe ka rënë afro 10 metra lartësi. Pak çaste më vonë, shoferë të linjës Peshkopi-Tiranë kanë pikasur mjetin e rënë poshtë urës dhe kanë nxitur t’u japin ndihmën e nevojshme. Po ashtu është njoftuar menjëherë policia lokale. Dëshmitarë okularë kanë parë se shtetasit Lavdosh Pacuku dhe Kastriot Gjoni, 20 dhe 19 vjeç, kishin ndërruar jetë, për shkak të përplasjes së fortë të makinës me gurët poshtë urës. Ndërkaq, shoferë dhe udhëtarë kanë nxjerrë në rrugën nacionale të aksidentuarit, Eriglen e Donald Gjoni 21 e 18 vjeç, edhe këta banues të Maqellarës. Shumë shpejt në vendin e ngjarjes kanë mbërritur efektivë të policisë rrugore, si dhe grupi hetimor. Fillimisht trupat e dy personave që kishin ndërruar jetë janë transportuar drejt morgut të spitalit Peshkopi, ndërsa dy të aksidentuarit janë dërguar në urgjencën e spitalit dhe më pastaj në sallën e operacionit. Policia tha se më rëndë paraqitet gjendja e shoferit të makinës, Eriglen Gjonit, pasi ka pësuar dëmtime serioze në pjesë të ndryshme të trupit. Nga të dhënat e para mësohet se shkak i aksidentit, me pasojë humbjen e jetës së dy shtetasve, ka qenë shpejtësia e madhe dhe humbja e kontrollit të makinës nga adoleshenti. Policia dhe prokuroria vazhdojnë hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes.P. HASA

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›