Vjedhja e bankës, bie në pranga dhe i dyshuari i tretë
Durrës- Arrestohet grabitësi i tretë i bankës, policia e kap te të afërmit në Vlorë. Policia e Durrësit ka vënë në pranga personin e tretë që ka bashkëpunuar me dy të tjerët në vjedhjen e filialit të një banke tri ditë më parë në qytetin e Durrësit. Admirim Elezi, 37 vjeç, është arrestuar në orët e para të mëngjesit të djeshëm në qytetin e Vlorës, ku kishte shkuar për t’u fshehur menjëherë pas ngjarjes së ditës së premte. 37-vjeçari Admirim Elezi u shpall në kërkim të nesërmen e vjedhjes së bankës, pasi ai ka qenë personi që ka pritur me autoveturën e tij dy personat që hynë dhe kryen grabitjen me armë në bankë. Arrestimi i tij u bë i mundur pas një bashkëpunimi që është realizuar me policinë e Vlorës, ndërkohë që agjentët e antikrimit të policisë së Durrësit kishin ndjekur gjurmët e 37-vjeçarit menjëherë pas ngjarjes, derisa kanë zbuluar vendndodhjen e tij në Vlorë. Burime të policisë së Durrësit kanë bërë të ditur se 37-vjeçari Elezi ka qenë jashtë bankës me autoveturën tip Ford Fiesta me targa TR 9071 P dhe pas daljes së dy personave të tjerë, janë larguar me shpejtësi nga vendngjarja. Të nesërmen e kësaj grabitjeje, policia arrestoi dy autorët që kryen grabitjen: Dasho Jaupllari 41 vjeç dhe Romeo Dapellai 24 vjeç, që të dy nga Tirana. Personat në fjalë kanë qenë me precedent penal, pasi janë dënuar që të dy në Greqi për vjedhje. Policia e Durrësit ka sqaruar se autorët e mësipërm kanë mundur që të marrin nën kërcënimin e armëve një sasi të konsiderueshme në lekë, dollarë dhe euro. Pas inventarit të kryer nga stafi i bankës, ka rezultuar se Romeo Dapellai dhe Dasho Jaupllari kanë rrëmbyer nga arka e bankës sasinë prej 24 mijë euro, 6 mijë dollarë dhe 600 mijë lekë. Pjesa më e madhe e kësaj sasie, 2,3 milionë lekë, janë mundur që t’u gjenden dy personave të arrestuar të nesërmen e ngjarjes, ndërsa pjesa tjetër nuk është gjetur akoma. Policia ka sekuestruar në cilësinë e provës materiale shumën prej 2.3 milionë lekë, dy pistoleta që janë përdorur për grabitjen, veshjet e përdorura si maskim dhe autovetura Ford Fiesta, me të cilën tre personat e mësipërm janë larguar nga vendi i ngjarjes. Tashmë grabitja e bankës është zbardhur plotësisht dhe autorët e kësaj ngjarjeje do të përballen me akuzën e vjedhjes me armë në bashkëpunim.