E Shtunë, 31 Tetor 2026

Makina e fondacionit bamirës plagos rëndë nënë e bir

Korçë Tre persona u plagosën rëndë në dy aksidente të tjera

Aksidentet kanë përgjakur rrugët nacionale në juglindje të vendit. Tre aksidente janë regjistruar brenda një dite, duke çuar në plagosjen e rëndë të pesë personave, mes të cilëve edhe një fëmijë 3 vjeç. Një nënë është aksidentuar rëndë në orët e para të mëngjesit, së bashku me djalin e saj, ndërsa janë përplasur nga një mjet që drejtohej nga një shtetas i huaj. Gruaja e re në moshë, 25-vjeçare, Brunilda Beshiri, dhe djali i saj 3 vjeç, F.Beshiri, janë aksidentuar rëndë në unazën e jashtme të qytetit të Korçës. Nënë e bir ishin duke kaluar më këmbë rrugën, kur janë përplasur me një automjet i një fondacioni bamirësie. Të aksidentuarit janë dërguar me helikopter në Tiranë, ndërsa policia arrestoi drejtuesin e mjetit që shkaktoi këtë aksident, 42-vjeçarin Keli Daniel nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Nga hetimi i ngjarjes ka dalë se drejtuesi i mjetit, i ndodhur në kushtet e errësirës, është përpjekur të shmangë përplasjen me një grua që po kalonte në atë moment në rrugë dhe kur ka devijuar makinën në krahun tjetër, ka goditur 25-vjeçaren Brunilda Beshiri që mbante në krahë edhe djalin e saj tre vjeç. Një tjetër aksident automobilistik ka ndodhur paraditen e së martës në rrugën nacionale Korçë-Pogradec. Në afërsi të qytetit të Maliqit, nga përplasja e një automjeti tip “Mercedes Benz” me targa të Ersekës dhe një motoçikletë, janë aksidentuar bashkëshortët Romeo Kuke 51 vjeç dhe gruaja e tij, Irini, 46 vjeçe. Ata janë përplasur nga mjeti, ndërsa drejtuesi Ferit Cenko, autor i këtij aksidenti, ka marrë plagë më të lehta. Aksidenti i tretë automobilistik ka ndodhur në të njëjtën rrugë pak kilometra më larg. Përplasja e radhës ka ndodhur në afërsi të fshatit Symiz, ku ka mbetur i plagosur shtetasi Kasëm Tanollari, 69 vjeç, i cili ka qenë duke drejtuar një biçikletë. Ai është përplasur nga një mjet tip furgon. Nga të plagosurit, tre ndodhen në gjendje të rëndë dhe janë transportuar në Tiranë për ndihmë të specializuar mjekësore.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›