Sherr i armatosur në çift, vritet dashnori
Një lidhje e fshehtë dashurie ka përfunduar në mënyrë tragjike dje në mëngjes, në një fshat të Rrethit të Matit. Policia e konsideroi vrasje për motive të dobëta krimin që i shkaktoi vdekjen një 40-vjeçari në fshatin Baz të komunës me të njëjtin emër në Rrethin e Matit.
Burimet e policisë së Matit njoftuan se viktima është Flamur Bruka, 40 vjeç, nga fshati Stojan i Komunës Ulëz. Ky person, i armatosur me armë zjarri kallashnikov, thikë dhe dylbi, kishte shkuar që në orët e para të mëngjesit në shtëpinë e së dashurës së tij, Fatbardha Gjoni, 27 vjeçe, me të cilën thuhet se kishte lidhje jashtëmartesore prej disa vitesh. Mendohet se ai kishte vendosur ta vriste, apo të paktën ta kërcënonte të dashurën e tij pas disa grindjeve që kishin pasur kohët e fundit,
por megjithëse i armatosur rëndë, 40-vjeçari është vrarë nga vajza që e ka pritur me armë në dorë.
Nëna e 27-vjeçares Gjoni thotë se e bija ka qenë e vetme në shtëpi, pasi ajo vetë kishte shkuar për të shitur domate në qytetin e Burrelit. E pyetur për ngjarjen, ajo pohon se vajza e saj ka pasur të drejtë në përpjekjen e saj për vetëmbrojtje, pasi viktima këto kohët e fundit e kishte kërcënuar shpesh të bijën.
Burime nga Drejtoria e Policisë së Dibrës bëjnë me dije për gazetën “Shqip”, se forcat e policisë, pasi kanë marrë informacion për ngjarjen e ndodhur, kanë bërë të mundur dokumentimin e saj. Drejtori i Policisë së Qarkut Dibër, Artan Hasanaj, tha se në vlerësim të situatës, menjëherë në vendngjarje kanë shkuar forca të policisë së Qarkut Dibër, që në bashkëpunim me forcat policorë të Komisariatit të Policisë Mat, si dhe grupin e prokurorëve të përfaqësuar nga prokurorë të Rrethit Gjyqësor të Matit, kanë bërë dokumentimin e kësaj ngjarjeje, duke arrestuar në flagrancë shtetasen Fatbardha Gjoni, 27 vjeçe, autoren e kësaj vrasjeje. Nga kryerja e veprimeve, vazhdon të tregojë drejtori Hasanaj, është bërë i mundur bllokimi i armës së krimit, një automatik kallashnikov model 56, si dhe 20 copë gëzhoja të gjetura në banjën e shtëpisë ku dhe është vrarë viktima. çuditërisht, nga 20 copë plumba që vajza 27-vjeçare kishte gjuajtur mbi 40-vjeçarin Bruka, vetëm një plumb kishte qenë fatal për të, që e kishte goditur në kokë, duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme.
Nga veprimet e mëtejshme të kryera, thuhet nga burimet policore, është fiksuar në cilësinë e provës materiale një armë zjarri kallashnikov model 56, një krehër me fishekë, një thikë, një dylbi dhe dy aparate celularë që i përkisnin viktimës.
Këto veprime janë dërguar në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Mat, për zbardhjen e kësaj ngjarjeje. Vajza 27-vjeçare akuzohet për veprën penale “vrasje me dashje dhe armëmbajtje pa leje”, vepra penale këto të parashikuara nga nenet 76 e 278/2 të Kodit Penal.
#