Makina fluturon në Drin, dy të vdekur
Një aksident i rëndë me pasojë vdekjen e dy personave ka ndodhur në orët e para të mëngjesit të djeshëm në hyrje të Shkodrës. Makina, me të cilën udhëtonin dy personat nga Dibra, ka përfunduar në lumin Drin dhe është dashur ndërhyrja e palombarëve të RENEA-s për të nxjerr trupat e pajetë. Ngjarja në fjalë ka ndodhur rreth orës 02:30 të mëngjesit, kur makina, tip "Golf 3", ngjyrë e zezë, me targa italiane, që po lëvizte nga Shkodra në drejtim të Tiranës, në vendin e quajtur kthesa e Beltojës, 3 kilometra larg qytetit, ka dalë nga rruga dhe ka rënë në lumin Drin. Për pasojë, dy personat, që gjendeshin në makinë, drejtuesi i mjetit, Moisi Karahsani, 40 vjeç dhe pasagjeri Fatjon Metahasani, 22 vjeç, që të dy nga Dibra, kanë gjetur vdekjen e menjëhershme. Policia sapo ka marrë informacionin ka mbërritur në vendin e ngjarjes, por e ka pasur të pamundur të ndërhyjë për të nxjerrë makinën dhe trupat e pajetë, që gjendeshin rreth tetë metra thellë në lumin Drin. Në fillim nuk dihej saktësisht mjeti dhe numri i viktimave, pasi uji i lumit kishte mbuluar gjithçka. Është dashur ndërhyrja e palombarëve të RENEA-s të ardhur në Tirana dhe rreth orës 09:30, pak minuta pasi kanë mbërritur bënë të mundur në fillim të nxjerrin viktimën e parë, Moisi Karahsani, i cili është gjetur fare pranë makinës. Më pas, forcat e RENEA-s kanë bërë të mundur që të nxjerrin edhe makinën nga uji. Kur u duk se gjithçka u mbyll dhe kishim të bënim vetëm me një viktimë, një detaj që ishte rripi i sigurimit i vendosur në vendin e pasagjerit ka bërë palombarët e RENEA-s të dyshojnë se mund të ketë edhe një viktimë tjetër, që nga rrjedha e lumit mund të jetë zhvendosur nga makina. Pas rreth një orë kërkimi, palombarët kanë arritur të gjejnë rreth 30 metra larg makinës trupin e pajetë të viktimës tjetër, i cili është Fatjon Metahasani. Nga dëshmitë që kanë dhënë të afërmit, të cilët kanë pasur kontakt deri pak minuta para aksidentit me viktimat, mësohet se njëri prej tyre, Fatjon Metahasani, student në Universitetin "Luigj Gurakuqi", ka qenë me disa shokë të tjerë shkolle në një lokal duke pirë dhe më pas është nisur drejt kryeqytetit. Grupi hetimor në vendin e ngjarjes nga hetimet e para ka arritur në përfundimin se shkak i këtij aksidenti mund të jetë bërë shpejtësia e lëvizjes, pasi makina ka kapërcyer edhe barrierën mbrojtëse, duke humbur krejtësisht kontrollin në momentin që po futej në kthesë. Ndërkohë, përreth 30 minuta, në kohën kur makineria e tonazhit të lartë po nxirrte makinën nga uji, rruga nacionale është mbajtur e bllokuar në dy anët e lëvizjes, duke bërë që, përveç bllokimit të rrugës në vendngjarje të mblidhen kureshtarë të shumtë. Pas nxjerrjes së trupave nga uji, ata janë dërguar në morgun e spitalit të Shkodrës, ku dje pasdite kanë shkuar familjarët nga Dibra për të bërë verifikimin zyrtar të identitetit dhe tërheqjen e trupave.