E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vrasja në Tropojë, kapet njëri nga bashkëpunëtorët

Vetëm tri ditë pas vrasjes me atentat, në mes ditës dhe në mes të qytetit të Bajram Currit, të ish-drejtorit të elektrikut, Sadri Metalia, vihet në pranga Bekim Dauti, i konsideruar nga policia si një nga bashkëpunëtorët në vrasje. 23-vjeçari Dauti, nga fshati Begaj dhe banues në Bajram Curri, një nip i afërt i familjes Breçani, ka shërbyer si drejtues i mjetit, me të cilin kanë udhëtuar dy vëllezërit Breçani dhe nga ku kanë qëlluar kundër viktimës Metalia. Ngjarja kishte pasur si zanafillë një vrasje të disa viteve më herët, ku viktimë kishte qenë anëtar i familjes Breçani, ish-polic. Burime të policisë tregojnë se menjëherë pas vrasjes së kryer, dy vëllezërit Breçani kishin lënë në qytet makinën dhe ishin larguar me armët në krah, në drejtim të malit. Mjeti, tip "Mercedes Benz", në të cilin kanë udhëtuar vëllezërit hakmarrës, drejtohej nga 23-vjeçari Dauti, i afërt i familjes. Edhe ky ishte larguar në drejtim të paditur deri të mërkurën në mesditë, ku ai u vu në pranga nga policia, në një nga fshatrat e kufirit me Kosovën. Burime të Drejtorisë së Policisë në Kukës thonë se 23-vjeçari është arrestuar pa rezistencë dhe se kishte qëllim të kalonte kufirin për t‘u fshehur në Kosovë. Ai akuzohet si bashkëpunëtor në vrasje dhe ndihmë të dhënë në arratisje të autorëve nga vendi i krimit. Operacioni për kapjen e dy vëllezërve vrasës, me të cilët kishte bashkëpunuar Dauti, ka vijuar që ditën e ngjarjes me forca të dërguara edhe nga Kukësi. Drejtori i policisë, Muharrem Furriku, i cili drejtonte operacionin, pohoi nga Tropoja se kërkimet janë shtrirë edhe përtej kufirit, në zonat e Kosovës, ku mendohet se mund të jenë fshehur autorët. Për këtë, ai tha se është kontaktuar edhe me kompetentët e policisë së Kosovës në rajonet në kufi me Shqipërinë, me të cilët po bashkëpunohet ngushtë për të bërë të mundur ndalimin e vëllezërve Astrit dhe Arben Breçani, që, siç pohoi vetë Furriku, janë të dyshuarit kryesorë për vrasjen e Metalisë.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›