Makina përplas këmbësorët, plagosen 4 anëtarë të një familje

Qyteti i Elbasanit është kthyer në një rrezik serioz për këmbësorët. Gjatë mesditës së sotme katër anëtarë të së njëjtës familje kanë mbetur të plagosur si pasojë e një aksidenti automobilistik. Ngjarja është shënuar në unazën e qytetit të Elbasanit, ku një automjet me targa italiane ka dalë nga rruga, duke përplasur të katër këmbësorët që po ecnin në trotuar.
Të plagosurit, Niko dhe Flutura Balliu nga 40 vjec dhe dy fëmijët e tyre, djali dhe vajza përkatësisht 8 dhe 14 vjeç janë transportuar menjëherë drejt spitalit rajonal të Elbasanit për marrjen e ndihmës mjekësore, nga ku bluzat e bardha bëjnë të ditur se ndodhen jashtë rrezikut për jetën. Policia ka mbërritur në vendngjarje dhe ka ndaluar drejtuesin e mjetit Enzo Skënderi, 18 vjeç, ndërsa po heton për zbardhjen e plotë të aksidentit.