Pranga për trafik klandestinësh 23-vjeçarit
GJIROKASTER - Arrestohet një 23-vjeçar në Kakavijë për trafik klandestinësh. Specialistët e Drejtorisë Rajonale për Kufirin dhe Migracionin bënë të ditur se kanë prangosur Jurgen Sinajn nga Mallakastra. Ai u ndalua dje në Kakavijë rreth orës 05:00, në afërsi të vijës së kufirit të gjelbër me Greqinë. I riu po ndihmonte që të kalonin ilegalisht kufirin dy persona. Policia e pikasi atë në fshatin Dritë në afërsi të Kakavijës. "Jurgen Sinak po tentonte të kalonte në anën tjetër të kufirit një grua me inicialet J.H. 25 vjeçe, e cila kishte me vete edhe djalin e vet 2-vjeçar. Gruaja së bashku me të birin, ishin marrë nga Sinaj, nga Mallakastrës, për t'u çuar në drejtim të Greqisë duke paguar tek ai 2 mijë euro. Sasia e të hollave do të dorëzohej te trafikanti i klandestinëve në momentin e mbërritjes së tyre në Athinë tek i shoqi", bëri të ditur policia. Gruaja së bashku me të birin janë shoqëruar nga shërbimet e Policisë Kufitare dhe në bazë të dëshmive të tyre vërtetuan se Sinaj është autor i trafikut të klandestinëve. Mbi Sinajn rëndon vepra penale e dhënies ndihmë për kalim ilegal të kufirit kundrejt fitimit. Materialet i kanë kaluar Prokurorisë së Gjirokastrës për hetime të mëtejshme. p.n