Makinat e gjyqtarëve, ligji pezullohet nga Kushtetuesja
Aristir Lumezi
Gjykata Kushtetuese pezulloi zbatimin e disa neneve të ligjit për makinat e gjyqtarëve, deri në marrjen e vendimit përfundimtar. Mbledhja e djeshme e gjyqtarëve vendosi pezullimin e zbatimit të ligjit që rregullonte shërbimin e transportit të gjyqtarëve, duke e marrë në shqyrtim këtë ligj. “Në përfundim të shqyrtimit të çështjes, Mbledhja e Gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese, në mbështetje të nenit 45 të ligjit nr.8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, duke çmuar se zbatimi i menjëhershëm i dispozitave të ligjit objekt shqyrtimi, mund të sjellë pasoja të pariparueshme për institucionet gjyqësore vendosi të urdhërojë pezullimin e zbatimit të nenit 2, pika 1 dhe 2, nenit 3, 4 dhe 6 të Ligjit nr. 10160, datë 15.10.2009 “Për rregullimin e shërbimit të transportit për funksionarët publikë dhe nëpunësit civil”, për sa i përket pikave 17 dhe 19 të lidhjes nr. 2, bashkëlidhur ligjit, derisa vendimi përfundimtar i Gjykatës Kushtetuese të hyjë në fuqi”, shprehet Gjykata Kushtetuese në vendimin e djeshëm të saj. Më 10 nëntor, Unioni i gjyqtarëve depozitoi në Gjykatën Kushtetuese kërkesën e tij, përmes së cilës kërkon shfuqizimin e ligjit të qeverisë, që u heq gjyqtarëve makinat e shërbimit. Nga ky vendim përfitojnë vetëm gjyqtarët, pasi Gjykatës Kushtetuese i është drejtuar vetëm Unioni i Gjyqtarëve, ndërkohë që nga ky ligj preken dhe institucionet e tjera të pavarura, si KQZ, Avokati i Popullit, KLSh por dhe deputetët e Kuvendit të Shqipërisë. Unioni i Gjyqtarëve argumenton në kërkesën e tij se ligji i ri i qeverisë cenon pavarësinë e pushtetit gjyqësor dhe kërkon shfuqizimin e tij sa i takon vetëm pjesës së trajtimit me mjete transporti të gjyqtarëve dhe jo deputetëve. Kërkohet shpallja si antikushtetuese e pikës 1 dhe 2 të nenit 2, nenit 3 dhe nenit 4 të ligjit nr. 10160 datë 15.10.2009 “Për rregullimin e shërbimit të transportit për funksionarët publikë dhe nëpunësit civilë”, për sa i takon kryetarit dhe gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese, kryetarin dhe gjyqtarët e Gjykatës së Lartë, kryetarët dhe gjyqtarët e Gjykatave të Shkallës së Parë dhe Apelit, si dhe nenin 6 të këtij ligji për institucionet e sipërpërmendur.