Qeveria, shpërblim 100 mijë lekë për buxhetorët në fundvit
Buxhetorët do të marrin 10 mijë lekë të reja shpërblim në fund të vitit. Qeveria vendosi dje në mbledhjes e Këshillit të Ministrave të përcaktojë shumën prej 10 mijë lekë të reja për çdo punonjës të qeverisjes së përgjithshme si shpërblim në fund të vitit, pavarësisht shpërblimeve që punonjësi mund të marrë gjatë vitit për punë dhe rezultate të mira. “Shpërblimi në fund të vitit i jepet çdo punonjësi të njësisë së qeverisjes së përgjithshme, në masën 10 000 (dhjetë mijë) lekë, pavarësisht shpërblimit sipas pikës 3, të këtij vendimi, dhe përballohet nga fondi i veçantë”, thuhet në vendimin e djeshëm të qeverisë. Po në këtë vendim, qeveria vendosi krijimin e një fondi të veçantë që do të përdoret për shpërblime por dhe fatkeqësi të punonjësve. “Në njësitë e qeverisjes së përgjithshme krijohet fondi i veçantë, në masën 5 për qind të fondit të planifikuar për pagat. Ky fond përdoret nga drejtuesit e njësive të qeverisjes së përgjithshme për shpërblimin e punonjësve, për rezultate të mira në punë, për dhënie ndihmash të menjëhershme, në raste fatkeqësish, sëmundjesh që kërkojnë ndërhyrje shëndetësore jashtë vendit, për veprimtari social-kulturore, si dhe për rastet e daljes në pension pleqërie”, thuhet në vendimin e djeshëm të qeverisë. Në këtë vendim përcaktohet dhe masa e shpërblimit që mund të jepet për punonjësit e administratës shtetërore. Sipas tij, shpërblimi nuk mund të jetë më shumë se një pagë mujore. “Shpërblimi për rezultate të mira në punë gjatë vitit, për çdo punonjës, nuk duhet të jetë më shumë se 1 (një) pagë mujore në vit. Përjashtimisht për Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve, masa e shpërblimit nuk duhet të jetë më shumë se 2 (dy) paga mujore në vit”, thuhet në vendim. Sipas këtij vendimi, shpërblimi për rezultate të mira në punë të përballohet nga fondi i veçantë edhe në rastet kur, sipas ligjeve të veçanta, lindin të drejta specifike të shpërblimit të punonjësve. Ky rregull nuk zbatohet vetëm kur në ligj janë parashikuar burime të tjera specifike, të ndryshme nga fondi i veçantë i pagave. Në këtë rast, kriteret dhe rregullat e përfitimit të shpërblimeve përcaktohen me udhëzime përkatëse.