E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Tangoja” e Lohan dhe vallja shqiptare e “Shpatave”

Martin Leka 

Me një gjuhë të cilën e dëgjojmë vazhdimisht që prej fillimeve të viteve ’90 gjuhë, e cila ka filluar të mësohet lehtë jo vetëm nga politikanët, por dhe publiku shqiptar, edhe këtë radhë, Ambasadori i KE në Tiranë, Helmut Lohan, ka komentuar situatën politike mes mazhorancës e opozitës. Në vija të përgjithshme, “të këtë dialog… të gjendet zgjidhje… politikanët të vënë në zbatim strategjinë e tyre… manifestimet janë e drejtë e duhet të jenë paqësore… ne nuk jemi arbitër”. Ambasadori i Komisionit Evropian ka thënë pak a shumë ato që nëse do të organizonim një konkurs para se ai të fliste, një pjesë e madhe e publikut të vëmendshëm ndaj politikës do të kishte thënë pak a shumë të njëjtat fraza. Fjala e Lohan ka përfunduar me një figuracion, i cili përkthehet lehtë nga kërcimi “tango” në atë Berisha – Rama.
Nga fjala e përfaqësuesit më të lartë të KE në Shqipëri, (dhe jo vetëm të tij) kuptohet qartë se sa të “kujdesshëm” mundohen të jenë ata, ndërkombëtarët, të cilët, prej vitesh vazhdojnë të paguhen si të ishin në vende të rrezikshme e me luftëra e jo në një vend anëtar të NATO e aspirant për anëtar të BE. Nuk e di nëse kjo është “gjuha e koduar” e tyre, mësuar në libra evropianë apo kjo është “gjuha e adaptuar”, me të cilën dikush apo qarqe të caktuara kërkon të mbajë vazhdimisht një lloj status-quo në vendin me demokraci ende të brishtë, edhe pas dy dekadave nga rënia e diktaturës.
Mbase pas 20 vjetësh nga rënia e murit të “Berlinit” në Shqipëri, është koha e përshtatshme dhe e domosdoshme që edhe ndërkombëtarët, të cilët jo vetëm politika, por edhe qytetarët shqiptarë, u besojnë dhe i kuptojnë jo thjesht si vëzhgues në këtë vend, por si “qeveritarë”, të thonë SHQIP se kush është fajtori apo i gabueshmi në politikën shqiptare, në mënyrë që shqiptarët të bëjnë zgjedhjen e tyre politike, duke mos u ndikuar nga deduksione e thashetheme tipike, të nxituara nga palët, majtas apo djathtas, duke nxitur përkrahësit kësisoj të “hipotekojnë” një thathethem për të vërtetë të ndërkombëtarëve.
Për të mos folur me gjuhën e ndërkombëtarëve apo stilin e gazetarëve, duhet thënë shqip e saktë: Kush ka të drejtë e kush e ka gabim në krizën parlamentare e politike në të cilën është përfshirë vendi pas zgjedhjeve të Qershorit? A duhet të futet opozita në parlament? A duhet të hapen kutitë? Me vetëm një fjalë: PO ose JO! Në këtë mënyrë, do t’i bëhej një shërbim i madh jo politikës, por shqiptarëve në radhë të parë, të cilët nuk do të kishin mundësi të komentonin me hamendësime të pafund se kush ka gabimin e kush ka të drejtën.
Besoj se rrjedhojë e gjithë kësaj që thamë më lart, e gjuhës diplomatike apo fjalëve të përgjithshme ku “të dy palët kanë të drejtë e po të dy palët e kanë gabim” është edhe ashpërsimi i gjuhës dhe luftës politike mes palëve. Sepse, ndërkohë që Ambasadori i KE flet për zgjidhje përmes dialogut, palët, përkatësisht Berisha e Rama, po e pamundësojnë këtë gjithnjë e më shumë me gjuhën dhe fjalorin e tyre.
Me “shkulje dhëmbësh e dhëmballësh e karrigesh” nuk besoj se është e mundur që Berisha e Rama të kërcejnë “tangon” e Lohan. Sepse Lohan duhet ta ketë mësuar se ne shqiptarët kemi një tjetër kërcim të dëgjuar e me nam si të tangos, dyshe dhe kjo jona: vallen e Shpatave…

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›