E Shtunë, 31 Tetor 2026

Më mirë martohu!

Edmond Arizaj 

Martesa, nëse e ke harruar të largon depresionin. Ti je shumë i depresionuar dhe ke të drejtë. Pas shumë vitesh kur gjithçka ecte sipas asaj që dëshiroje ti, sot ndodh ndryshe, sot nuk je më ai i pari, sot nuk të duan më si dikur. Gjej një njeri, i cili të të dojë edhe kur të tjerët nuk të duan. Të mbështet edhe kur të tjerët të shohim me dyshim. Do ta shohësh që do të kesh forcën e 10 mijë njerëzve bashkë.
Martesa, të heq pagjumësinë. Ti dukesh, ke muaj që fle shumë pak, madje ndonjëherë aspak. Qeset poshtë syve ta tregojnë këtë. Kjo pagjumësi nuk të dëmton vetëm ty, nuk prish vetëm vendimet e tua, por pështjell mendimet e miqve dhe shokëve të tu, ngatërron idetë e njerëzve që besojnë tek ty dhe bën lëmsh gjithë dynjanë tjetër. Martohu dhe do ta shohësh se gjumi do të rikthehet sërish tek ty, edhe pse ngandonjëherë mund të ëndërrosh se je Shpëtimtari.
Martesa të heq trishtimin e vazhdueshëm. E ke vënë re, kur ripërsëritesh në ato aletet e vogla të teknologjisë, se nuk qesh asnjëherë, madje edhe kur buzëqesh në të rrallë ajo duket si skërmitje. Nuk të shkon ky lloj trishtimi i përhershëm gri si koha e bezdisshme e fundnëntorit. Pastaj është edhe ngjitës, të gjithë të afërmit e tu, jo të gjakut, dalin të nevrikosur, pa humor, ndonjëherë edhe të çakërdisur, vetëm e vetëm të jenë si ty. Dhe pastaj trishtimi kalon si padashje tek gjithë të tjerët që presin me sytë nga ty dhe të afërmit e tu jo të gjakut. Martohu dhe do të shohësh se trishtimi do të zhduket si me magji.
Martesa largon vetminë, këtë tashmë duhet ta kishe kuptuar. Ti je i vetëm, jeta nuk shtyhet vetëm, sepse pastaj do të duhet të akuzosh gjithë botën për vetminë tënde, madje do të akuzosh edhe të afërmit e tu, jo të gjakut, të cilët nuk të ngjajnë hiç në këtë pikë. Martesa do të të jepte edhe një bosht të fortë për të dalë ballëlartë tek ca shqiptarë anakronikë e të prapambetur që ende e shohin martesën me respekt. Nuk marrin erë nga bota e qytetëruar, mos ua vër re, por gjithsesi reflekto, nuk do ta ndjesh më vetminë e netëve të vona kur pagjumësia të qepet e për ta vrarë atë duhet të shpikësh lloj-lloj marifetesh.
Martesa të zbut dhe ky është goxha fakt i faktuar. E ndjen se je shumë i kreshpëruar, i nervozuar, i irrituar, i acaruar e I paduruar me të gjithë, totalisht me të gjithë. E ke riparë veten teksa nuk të durohet sa të shtiesh në dorë këtë, apo atë, sa irritohesh kur uji nuk ecën në shtegun që hap ti, sa acarohesh kur të përmendin ndonjë zullum të vogël, sa nervozohesh kur të përballin me natyrën tënde mbisunduese, sa i kreshpëruar je me këta, këta, këta mo burrë pleshtat, gazetarët e gazetaret, që guxojnë ndonjëherë të bëjnë pyetje jo për atë që do të flasësh ti, apo më keq akoma që duan të pyesin kur ti ke vendosur vetëm të lexosh. Martesa do të të zbusë, jo pse do të marrësh një zbutës, por sepse kështu ka qenë në jetë të jetëve.  
Martesa të bën me miq të vërtetë. E ke vënë re, kur je në ndonjë darkë me dikë prej të afërmve të tu, jo politikë, të martuar, se ti ndihesh pak si bosh, pak si ndryshe. Ai tjetri mund të ngacmojë pak në pjatën e gruas së vet, por ti ku do ngacmosh nëse nepsi nuk të lë rehat?! Po përveç kësaj që është një gjë shumë e vogël, ai tjetri do të shohë me dyshim çdo lëvizje tënden, çdo hedhje sysh, çdo batutë, sepse ti je I pashoqëruar zyrtarisht dhe kjo të bën ty (edhe bota jonë e homo sapiens-it ngjason shumë me të gjitha botët e tjera kafshërore) një rival potencial dhe nga ana tjetër një mik të pabesueshëm. Me martesën kjo mangësi zhduket. 
Martohu dhe do të mësohesh edhe me humbjen. E ke shumë problem këtë. Por nëse këtu do të niste dhe do të përfundonte problemi, në fakt nuk do të kishte problem. Por je duke ua injektuar këtë edhe të tjerëve, duke I bindur ata se bindja jote, niset nga bindja e tyre, megjithëse ata janë të bindur se kjo bindja jote nuk bind askënd. Në martesë gjithkush humb nga pak dhe ti do të mësosh se ndonjëherë humbja është fitore sepse nxjerr mësime prej saj, ndërsa fitoret e vazhdueshme të sjellin humbjen e vetvetes.
Martohu të gjesh qetësinë e shpirtit. Shpirti yt prej vitesh e dekadash është i trazuar, e i rebeluar ndaj gjithkaje dhe ndaj gjithkujt. Por, Bota prandaj është e bukur, pse është e ndryshme. Imagjino sikur të gjithë do të ishin siç i do ti, si veten, sa e frikshme do të dukej. Më mirë martohu dhe qetësohu. Jetën e ke përpara.   

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›