E Shtunë, 31 Tetor 2026

Makinat e sekuestruara deri në 2010, në ankand

TIRANE - Mjetet rrugore të sekuestruara deri në fund të vitit 2010 do t’u kalohen në administrim Rezervave Materiale të Shtetit, që organizon ankandet për shitjen e tyre në bazë të legjislacionit në fuqi. Sipas nenit 1 të një projektligji të miratuar dje nga qeveria, “Mjetet rrugore, të regjistruara e të pajisura me leje qarkullimi nga organet kompetente shqiptare, të konfiskuara si pasojë e sekuestrimit, ndalimit apo bllokimit nga organet e Policisë së Shtetit deri në datën 30.12.2010, për të cilat nuk ka probleme në ndjekje, në hetim ose verifikime të ndryshme, kalojnë dhe administrohen nga Rezervat Materiale të Shtetit, për vijimësinë e procedurave të mëtejshme, sipas destinacionit të parashikuar në legjislacionin në fuqi”. “Të ardhurat e gjeneruara sipas përcaktimeve në nenet 1, 2, 3 e 4 të këtij ligji, të përdoren sipas udhëzimit të përbashkët ndërmjet Ministrisë së Financave dhe Ministrisë së Brendshme”,- shkruhet në projektligjin e miratuar dje nga qeveria.
Mjetet lundruese
I njëjti fati i pret edhe mjetet lundruese të konfiskuara deri në vitin 2010, të cilat gjithashtu do të kalohen në administrim të Rezervave Materiale të Shtetit. Në bazë të ligjit tek i cili bazohet aktiviteti i këtij institucioni, termi “Administrim” është lëvrimi, këmbimi, freskimi, plotësimi, ruajtja ose mirëmbajtja, heqja apo seleksionimi, huadhënia, blerja, shitja dhe çdo veprim tjetër që mund të kryhet me Rezervat Materiale të Shtetit. “Mjetet lundruese, të cilat nuk janë të regjistruara e të pajisura me leje lundrimi dhe me certifikatën e përdorimit të mjetit lundrues nga organet kompetente shqiptare (me ose pa leje lundrimi nga një shtet i huaj) dhe plotësojnë kushtet e përcaktuara në nenin 1, pas rikonfirmimit të verifikimeve me shtetet e origjinës, kalojnë dhe administrohen nga Rezervat Materiale të Shtetit, për vijimësinë e procedurave të mëtejshme, sipas destinacionit të parashikuar në legjislacionin në fuqi”, - shkruhet në projektligjin e djeshëm të miratuar nga qeveria.
Dorëzimi
Kalimi i këtyre mjeteve, nga mjediset e drejtorive të Policisë së qarqeve përkatëse dhe ato të Policisë Kufitare dhe Migracionit, bëhet pranë mjediseve të drejtorisë rajonale të Rezervave Materiale të Shtetit, që korrespondon me territorin respektiv. Procedurat e kalimit dhe të çregjistrimit, rregullohen me akt nënligjor të ministrit të Brendshëm, ministrit të Financave dhe ministrit të Punëve Publike dhe Transporteve. 

(er.nu/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›