E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vdekja e Bejkos, Meta: Dialogu e shmangte ngjarjen e rëndë

TIRANE - I ftuar mbrëmë në emisionin "Tonight" të gazetares, Ilva Tare në Ora News, kreu i LSI-së, Ilir Meta ndër të tjera komentoi edhe çështjen e ish-të përndjekurve politikë, duke shprehur keqardhje për vdekjen tragjike, sipas tij, të Lirak Bejkos.

Z.Meta, sot ka vdekur njëri nga ish-të përndjekurit, ndërkohë që ju keni kërkuar dialog me qeverinë për zgjidhjen e problemeve të tyre. A ishte normale që qeveria nuk negocioi?
Është një ngjarje tepër tragjike dhe e dhimbshme, humbja e jetës së z.Bejko. Po kështu ishin mjaft tronditëse edhe zhvillimet e tjera gjatë grevës së urisë. Duke shprehur ngushëllime për familjarët dhe shokët e tij për këtë humbje të parakohshme, bashkohem me qëndrimin e ambasadorit Sequi dhe është për të ardhur keq që kemi një pasojë të tillë. Në rast se politika do të kishte qenë më e përgjegjshme dhe konstruktive, nuk do të kishim precedentë të tillë me pasoja të rënda. Nuk jam këtu për të bërë gjykatësin, por dua të përmend se të dyja palët i janë referuar ligjit, edhe të përndjekurit, por edhe qeveria që ka zbatuar ligjin. Ndaj ne kemi kërkuar që të kërkohej një mekanizëm për të verifikuar zbatimin e ligjit. Por për të fat të keq kemi një situatë imponuese politikisht, që pati indicio nga opozita, që ka qenë publike, ndërkohë që ligji nuk ka qenë kaq i lehtë për t'u zbatuar. Këtu i referohem takimit të z.Rama me gratë, të cilat kishte shkuar natën për t'i takuar. Pra nëse do të kishim pasur një qëndrim realist të palëve politike, do të kishim një situatë krejt tjetër.
Kryeministri e mohoi mundësinë për dialog, me argumentin se ishte politike; po për Bejkon që vrau veten, kush mban përgjegjësi për të?
Përgjegjësi do të mbajnë të gjithë, pavarësisht nga rëndësia e informacionit. Por shpeshherë duke qenë njerëz të tillë që kanë kaluar situata jo të mira krize, mund të shkojnë në veprime të tilla që janë me pasoja të rënda. Të gjithë duhet të bëjmë më shumë për të vendosur një klimë për t'i zgjidhur çështjet me dialog, ndaj mendoj se kjo tragjedi është një ngjarje shumë e rëndë, për të ndikuar tek të gjithë, edhe tek kreu i opozitës dhe medias për të vepruar me përgjegjësi. 

(er.nu/GSH/BalkanWeb) Lidhje te tjera Ish-të përndjekurit, ndërron jetë Lirak Bejko, u vetëdogj në grevë

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›